Ora e Arsimit shëndetësor dhe fizik në shkolla fillore dhe të mesme është e domosdoshme. Mirëpo, jo çdo herë e njëjta realizohet në mënyrë të rregullt. Sipas informacioneve që ka siguruar Alsat, në shkolla të caktuara në Shkup, kjo orë nuk realizohet fare ose “sa për sy e faqe”, pa mos i angazhuar nxënësit në aktivitetet e parapara me plan programin e kësaj ore. Mbrapa kamerës, shumë nxënës thanë se ora në fjalë zëvendësohet me orë të një lënde tjetër ose për shkak të mungesës së ngrohjes në sallë e njëjta nuk realizohet. Madje, nxënësit kërkojnë më shumë orë të Arsimit shëndetësor dhe fizik.

“Besoj që duhet të mbahet më së paku dy tre herë në javë se njeriu ka nevojë për aktivitet fizik”.

“Unë mendoj se çdo ditë duhet me pas edukatë fizike mirëpo ne kemi vetëm dy herë në javë”.

“Ne kemi pas pak ndërprerje sepse e kanë ndërtua sallën, nuk kemi mbajt gati dy muaj, tash kemi fillu me mbajt orën. Tërë javën të kishim pas sepse lodhemi pas orëve ndërsa sporti të relakson”.

Në shkollën “Hasan Prishtina” në Çair I kushtohet vëmendje e posaçme arsimit fizik dhe shëndetësor, pavarësisht se kushtet nuk mundësojë një gjë të tillë. Mësuesi Gëzim Osmani tha se realizimi i rregullt i kësaj ore mund të parandaloj deformimet dhe sëmundjet organike te fëmijët.

Më të përhapura kohën e fundit janë kifoza, lordoza dhe skolioza por edhe lëvizjet josimetrike, distaban apo thjesht kanë problem me shputat e këmbëve. Unë besoj se tre orë nuk janë të mjaftueshme, duhet më tepër të shtohen në orar dhe të futen në program.  Një orë akademike është 40 minuta, ato kanë nevojë për ushtrime sistematike dhe qasje pak më tepër në sport nëqoftëse dëshirojnë të bëjnë parandalim ndaj deformiteteve trupore”, deklaroi Gëzim Osmani, mësimdhënës i edukatës fizike – deklaroi Gëzim Osmani, mësimdhënës i edukatës fizike.

Ndërkohë, Enver Miftari profesor në shkollën e mesme të qytetit drejtoi kritika për Ligjin për Arsim fillor, që ka të bëj me Arsimin fizik dhe shëndetësor. Miftari kërkon që mësues të posaçëm të kësaj lënde përveç klasës së parë të kenë edhe klasa e dytë, tretë, katër dhe ajo e pestë.

Gabimi në atë punë, në atë të mirën e keqe është se nuk kanë vazhdua me klasat e dyta, të treta, të katërta dhe të pesta, po kanë ngel vetëm me klasat e para. Dmth fillon si projekt që është e domosdoshme të fillohet menjëherë edhe me të dytat, tretat, të katërtat dhe të pestat. Aty fillon ndalimi i deformiteteve që veç më në klasë të gjashtë, shtatë, tetë apo në shkollë të mesme bëhen shumë të mëdha – tha Enver Miftari, profesor i edukatës fizike.

Nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se tashmë kanë dhënë pëlqim për angazhimin e mësuesve të posaçëm për arsimin shëndetësor dhe fizik, duke filluar nga klasa e parë. Madje, specialistët e kësaj fushe për fëmijët dhe adoleshentët e moshës 5 deri në 17 vjet rekomandojnë 60 minuta aktivitet fizik për pesë ditë në javë. Gjithashtu specialistët thonë se mungesa e ushtrimeve dëmton shëndetin e fëmijëve, ashtu si edhe zhvillimin e trurit të tyre dhe aftësitë sociale.

Melihate Rustemi

Loading...

Shpërndaj me

Loading...