Ministri i Bujqësisë pa përgjigje konkrete ndaj kërcënimeve të djeshme të mullisëve se ata nuk do të blejnë asnjë kilogram grurë nga korrja e këtij viti. Ai thotë se zgjidhja do të gjendet deri më 30 qershor. Por, nuk tha nëse do ta shfuqizojnë plotësisht rregulloren siç është njoftuar, ose do të kthehet në fuqi rregullorja e cila hyri në fuqi në fillim të vitit, siç kërkojnë mullisët. Nikolovski pohon se mullisët fillimisht kërkuan aplikimin e pullave, dhe pastaj heqjen e tyre.

Shpresoj që deri në 30 qershor paralelisht me përfundimin e marrëveshjeve në fushën e fito-inspektimeve dhe në fushën e sigurisë së ushqimit, ne do të gjejmë njëkohësisht një zgjidhje të përhershme për pullat dhe çështjen që duhet të zgjidhet – deklaroi Ljupço Nikolovski, Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.

Nikollovski kujtoi se gjatë javëve të fundit janë forcuar kontrollet për importin e miellit, ndërsa tashmë janë shqiptuar gjoba dhe ka kallëzime kundërvajtëse për lëshimin e miellit në treg pa i marrë rezultatet e analizave. Mullisët dje kërcënuan se 160 mijë ton grurë vendor do të mbeten në fusha dhe depo, nëse nuk ka zgjidhje për miellin serb nga një, dy dhe pesë kilogram që paketohet dhe kontrollohet nga fqinji verior dhe që shitet në Maqedoni me pulla të miratuara nga Beogradi. Mullisët kërkojnë që kontrolli i gjithë miellit të importuar të bëhet në Maqedoni.

Aleksandra Spasovska

 

Shpërndaj me