Ekonominë në Maqedoni e pret ngecje në një periudhë gjashtë mujore, vlerësojnë nga sektori i biznesit. Periudha zgjedhore që është para nesh tashmë i ka ngrirë projektet e parapara të biznesmenëve. Problem tjetër për biznesmenët është edhe pavendosmëria e Qeverisë në politikën tatimore. Në pyetjen nëse sektori privat është i gatshëm për rritjen e rrogave dhe të rrogës minimale, Arsovska thotë se gjithçka që imponohet në mënyrë jo të natyrshme nuk është mirë.

Të gjitha projektet, sidomos ato që ishin afatgjatë tashmë janë në ndërprerje, sidomos duke i pas parasysh politikat e reja dhe paralajmërimet se zgjidhje të caktuara ligjore do të ndryshohen, sidomos në pjesën e ndryshimit të tatimit progresiv. Besoj se kompanitë, sidomos ne që ishim konsistent që nga fillimi, vlerësojmë se nuk duhet të shpejtohet me reforma të këtilla të rëndësishme që u paralajmëruan si mini-reforma tatimore, por implikimet që i kishin ndaj sektorit të biznesit vërtetë ishin të mëdha”-tha Daniela Arsovska, kryetare e LOE.

Por, zëvendëskryeministri Koço Angjushev është i bindur se ekonomia e vendit ka përfitime të mëdha nga projektet aktuale të Qeverisë dhe presin që vitin e ardhshëm të ketë rritje të investimeve.

Këtë vit ligji për mbështetje financiare të investimeve, jam i lumtur që funksionoi shumë mirë. Ndoshta vitin e parë funksionoi me një dozë mosbesimi nga ana e komunitetit të biznesit, por këtë vit nënshkruam 120 kontrata të reja me kompani vendore dhe këto kontrata praktikisht garantojnë që në periudhën e ardhshme të ketë investime prej 230 milionë euro”-pohoi Koço Angjushev, zëvendëskryeministër i ekonomisë.

Guvernatorja Anita Angellovska Bezhovska dje paralajmëroi se parashikimi i Bankës Popullore për rritjen ekonomike për këtë vit është 3.5%, ndërsa është më shumë optimiste për vitin e ardhshëm kur rritja e PBV-së do ishte 3.8%. Bezhovska është e vetëdijshme se ekonominë e pret proces i ri zgjedhor në të cilin stagnimi është i pashmangshëm, por sipas saj, kjo do jetë në afat të shkurtër. Nga Lidhja e Odave Ekonomike janë skeptik se do realizohet parashikimi i BPM-së pasi nuk ka bazë që rritja të rritet në 3.5%.

Ile Petreski

Loading...

Shpërndaj me

Loading...