New York Times i ka kushtuar një artikull të veçantë brezit të ri të orëndreqësve. Këtë artikull prestigjiozia e ka nisur me shqiptarin Rexhep Rexhepi.

Rexhepi u shpall edhe fitues në nëntor të vitit të kaluar, për orat e meshkujve, në Grand Prix d’Horlogerie të Gjenevës.

New York Times ka shkruar se edhe pse Rexhepi mund të mos ketë trashëguar një biznes familjar, ai në moshën 31 vjeçare, është një kandidat i duhur në radhën e orëndreqësve të talentuar e që janë të përkushtuar ndaj kësaj zejtarie tradicionale.

Rrugëtimi i Rexhep Rexhepit pasqyron vështirësitë e tij personale dhe përkushtimin e tij në këtë fushë. I lindur në vitin 1987 në Zhegër, Kosovë, Rexhepi u largua në vitin 1999 nga Kosova, vendi i shkatërruar nga lufta për në Zvicër.

Ai hyri në një program mësimi në Patek Philippe dhe më vonë punoi për BNB Concept, dhe për orëndreqësin zviceran François-Paul Journe.

Në vitin 2012, në ditëlindjen e tij të 25-të, Rexhepi hapi punishten e vet në zonën e Qytetit të Vjetër të Gjenevës, duke përdorur 100,000 franga zvicerane nga kursimet e tij. Në fillim, ai prodhoi kryesisht prototipa për markat e tjera ndërsa në vitin 2015, ai filloi të fokusohet në zhvillimin e AkriviA.

AkriviA tani punëson gjashtë orëndreqës, duke përfshirë edhe vëllain e vogël të Rexhepit dhe prodhon rreth 30 orë në vit. Në kohën e robotikës, vizioni i Rexhepi fokusohet në punëdore dhe inspirohet nga epoka klasike e shekullit të 18-të.

“Ne mbrojmë vlerat tradicionale që po humbasin sot”, ka thënë Rexhepi. “Mund të jemi të rinj, por ne mbështetemi në traditën për të ecur përpara”, thekson ai duke treguar se realizimi i një orë i merr edhe deri në 8 muaj punë.

Loading...

Shpërndaj me

Loading...