Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se politikat e Mini-shengenit i largojnë vendet e Ballkanit Perëndimor nga rruga e integrimeve evropiane dhe i qon në strofullën euroaziatike të dominuar nga Rusia. Sipas tij, këto janë manovrime të Serbisë për të bishtësuar detyrimet ndaj Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën dhe për njohje të pavarësisë së Kosovës.

“Ndoshta kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë Veriore e kanë të qartë se ku janë interesat e vendeve të tyre por Kosova asesi”, ka shkruar ai.

Ndryshe, sot në Ohër mbahet takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimorë, ku marrin pjesë  kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev së bashku me presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin shqiptar Edi Rama, kryetarin e Këshillit të ministrave të Bosnjës e Hercegovinës, Denis Zvizdiq dhe ministres së Ekonomisë të Malit të Zi, Dragica Sekuliq. Në takim pritet të prezantojnë deklaratën me një listë të përparësive dhe masave për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dje njoftoi se nuk do të merr pjesë në takimin e sotëm në Ohër.

 

Postimi i plotë i Mustafës në Facebook:

Në cilat kuzhina po zihen projektet e Unionit Doganor të shteteve të Ballkanit Perëndimor, të Tregut të Përbashkët të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe së fundmi të Mini-shengenit ndërmjet këtyre vendeve?!

Në shiqim të parë duken projekte atraktive, por në esencë qojnë në një Jugosllavi të re, me Shqipërinë e pa Kroacinë dhe Slloveninë. Janë ide që nuk i kemi përkrahur sa e kemi drejtuar qeverinë dhe nuk do ti përkrahim si Lidhje Demokratike e Kosovës, as në pozitë dhe as në opozitë. Ashtu siç nuk përkrahim ndryshimin e kufijve shtetëror të Kosovës.

Kosova duhet të aspirojë tregun unik evropian, fillimisht mbi bazën e MSA-së që rregullon edhe doganat dhe të bëhemi pjesë e Marrëveshjes Shengen, ku janë shtetet e BE-së.

Marrëveshjet e Mini-shengenit lindi kur nuk u realizua projekti i ideuar në Serbi për Unionin Doganor dhe idea për Unionin Ekonomik të Vendeve të Ballkanit Perëndimor, për shkak të kundërshtimit të Kosovës dhe të Malit të Zi.

Marrëveshjet e tilla qojnë në një situatë kur tatimet në kufi, qoftë TVSH-në, tatimin doganor, akcizën do ti mbledh në pjesën më të madhe Serbia për Kosovën (e cila nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës), sepse kemi kufirin me te gjatë më te, e në pjesët e tjera, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Kosova nuk kufizohemi tanipërtani me asnjë nga vendet anëtare të BE-së. Prandaj me këtë marrëveshje sovranitetin tonë do ua kalonim vendeve fqinje, sepse siç dihet Shengeni (mini apo maxi) nënkupton politika unike të vendeve anëtare për kalimin e lirë të kufijve pa kontroll dhe kjo do të vlente edhe për Mini-shengenin e Serbisë dhe të përkrahësve të hegjemonisë së saj.

Politikat e Mini-shengenit i largojnë vendet e Ballkanit Perëndimor nga rruga e integrimeve evropiane dhe i qon në strofullën euroaziatike të dominuar nga Rusia.

Janë këto manovrime të Serbisë për të bishtëruar detyrimet ndaj Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën dhe për njohje të pavarësisë së Kosovës. Ndoshta kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë Veriore e kanë të qartë se ku janë interesat e vendeve të tyre por Kosova asesi. IM

Loading...

Shpërndaj me

Loading...