Rigjykimi për rastin Monstra filloi me fjalët hyrëse të Prokurorisë Speciale Publike e cila përfaqëson akuzën në këtë lëndë. Prokurorja Fatime Fetai në leximin e akuzës së parë paralajmëroi dëshmi dhe rrethana të reja për këtë rast. Dëshmitë pritet të prezantohen në plotësimin e akuzës nga ana e Speciales.

Ajo që është e rëndësishme është se lënda kthehet nga fillimi dhe çdo dëshmi do të jetë lëndë e analizës thelbësore pastaj do të nxirren edhe dëshmi të reja – tha Fatime Fetai.

Pas seancës, pala e dëmtuar akuzoi të akuzuarit për dhënien e dëshmive kundërthënëse dhe të ndryshme nga dëshmitë e para.

Mendoj që dëshmitë janë shumë kontradiktore, ndryshe nga herët tjera – deklaroi Dafinka Ivanovska, avokat i palës së dëmtuar.

Avokatët e palës mbrojtëse hodhën poshtë pretendimet e palës së dëmtuar.

Nuk është e vërtetë se ka dëshmi kontradiktore. Janë detaje shumë të vogla dhe është normale mos të kujtohen – tha  Naser Raufi, avokat mbrojtës.

Në seancën e sotme dëshmuan edhe të akuzuarit. I pari u prononcua Agim Ismajloviq i cili para trupit gjykues u betua se nuk ka lidhje me rastin dhe nuk e ka kryer veprën. Nga prokurorja Fetai, Ismajloviq u pyet nëse ka njohuri se ku gjendet vëllai i tij, Afrim Ismajloviq i cili ndodhet në arrati. Përgjigja e të akuzuarit ishte se ka njohur se vëllai i tij ndodhet në Prishtinë dhe se adresa e tyre është e njohur për policinë e Kosovës. Para trupit gjykues dëshmoi edhe i akuzuarit Fejzi Aziri i cili në detaje shpjegoi se ku ka qenë dhe çfarë ka bërë ditë kur ka ndodhur vrasja e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës. Aziri theksoi se rastin Monstra e ka montuar policia, ndërsa në pyetjen se a ka zhvilluar biseda telefonike me krerët e BDI-së, Aziri konfirmoi se ka pasur biseda me disa funksionar të BDI-së.

Kam pasur takime dhe biseda telefonike me zyrtarë të lartë të BDI-së. Në telefon kam folur me Nevzat Bejtën, por edhe me Izet Mexhitin. Bisedat kryesisht kanë qenë për çështje partiake, kur unë isha i kyçur ne parti – u shpreh Fejzi Aziri, i akuzuar.

Më dëshminë e Azirit, u mbyll seanca e sotme. Gjykimi i do të vazhdojë me 23 maj. Për vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës në vitin 2012 me burg të përjetshëm u dënuan gjashtë persona: Halil Demiri, Haki Aziri, Fejzi Aziri, Sami Luta, Afrim Ismajloviq dhe Agim Ismajloviq.

Elmedina Aliji

Shpërndaj me