Buxheti është në kondicion të mirë, financat janë stabile, pensionet rriten, borxhet e vjetra kthehen-këtë sot e deklaroi ministrja e financave Nina Angelovska duke paralajmëruar se në përgatitje e sipër është edhe platforma për luftën kundër ekonomisë së paligjshme. Deri në fund të muajit do të jetë gati platforma e borxhit publik, ndërsa muajin e ardhshëm do të paguhet TVSH-ja ndaj qytetarëve për tremujorin e dytë.

Në 16 ditët e para të janarit kompanive u është kthyer TVSH në vlerë prej 926 milionë denarë, apo 15 milionë euro. Me këtë vazhdon dinamika e mirë e vitit të kaluar ku kompanive në bazë TVSH-je u janë kthyer 401.9 milionë euro. Kjo është për 7.5% më shumë krahasuar me vitin 2018. Kjo është shumë e rëndësishme për kompanitë sepse në këtë mënyrë mbahet likuiditeti i nevojshëm për punën dhe planifikimet rrjedhëse në veprimtarinë investuese- deklaroi Nina Angelovska.

Por, zëvendësministrja shtesë e financave, në qeverinë teknike thotë se Angelovska po manipulon me ato përqindje. Sipas saj, rimbursimi i TVSH-së, duhej të ishte bërë muajin e kaluar.

Pse u është dashur kompanitë të presin më gjatë, për të marrë rimbursimin e tyre të TVSH-së, edhe pse ne e dimë se të gjithë luftojnë me problemin e likuiditetit? Lidhur me komentin e saj, që buxheti është në gjendje të mirë, unë shtroj pyetjen – pse patëm nevojë të huamarrje në dhjetor dhe janar? – tha Gordana Dimitrijeska-Koçoska, Zëvendës Ministre shtesë e Financave.

Dimitrieska-Koçoska u ankua se nuk ka bashkëpunim me Angelovskën, sepse nuk ka marrë asnjë përgjigje, për asnjë nga 16 kërkesat që i ka paraqitur në zyrën e ministres. Ndërkohë Angelovska, pretendon se ka bashkëpunim të mirë në nivelin e shkëmbimit të informacionit dhe bëri thirrje që zyrtarët e opozitës të sillen me përgjegjësi ndaj publikut.

Alsat

 

Loading...

Shpërndaj me

Loading...