Ndërrimi i dritareve të vjetra të drurit edhe sivjet ndihmohet nga shteti. Të gjithë qytetarët që duan dritaret e objekteve të banimit t’i zëvendësojnë më dritare të aluminit dhe PVC-plastikës, kanë mundësinë që deri në fund të qershorit të rikthejnë 50% të parave të investuara. Me qëllim të kursimit të energjisë elektrike, Ministria e Ekonomisë ka shpallur thirrje publike, duke ndarë 25 milion denarë. Ministri i Ekonomisëtha se ky subvencionim nuk duhet të kalojë shumën e 25 mijë denarëve për një familje dhe do të subvencionojnë prodhimet e të gjitha kompanive vendore.

Nëse bëjmë një krahasim, do të vërejmë që pikërisht nga viti 2017 e deri sot, kemi subvencionuar mbi 2.500 amvisëri në Maqedoni, të cilët kanë qenë të interesuar për këto masa. Iu bëj thirrje të gjithë të interesuarve që të shfrytëzojnë sa më shpejtë mundësinë për të aplikuar – tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Për nxitjen e efikasitetit energjetik në amvisëri, kjo Ministri subvencionon edhe përdorimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë. Në këtë Thirrje publike janë ndarë 5 milion denarë, të cilat do të kompensojnë 30% të mjeteve të shpenzuar për instalimin e paneleve diellore. Ministri Bekteshi, thotë se kjo nuk do të kaloj limitin e 15 mijë denarëve për një familje.

Duke përfshirë këtu edhe masën, e cila do të publikohet në muajin gusht, sipas programit për efikasitet energjetik, e cila ka të bëjë edhe me blerjen apo instalimin e shporeteve me peleta. Për momentin jemi duke përgatitur edhe ligj të veçantë sa i përket efikasitetit energjetik ku janë paraparë një sërë masash – tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Dy vitet e fundit, për zëvendësimin e dritareve kjo ministri ka ndarë 66 milion denarë, kurse për panelet diellore 96 milion denarë. Me masat e sivjeme, planifikohet të përfitojnë rreth 1 mijë familje për zëvendësimin e dritareve dhe rreth 300 familje për vendosjen e kolektorëve diellorë. Nga Ministria e Ekonomisë thonë se kanë arritur të plotësojnë vetëm 19% të planit për kursim të energjisë elektrike, duke u zotuar se deri në vitin 2025, kjo strategji do të zbatohet për 25%. Thënë ndryshe, në pesë vitet e ardhshme qytetarët do të përfitojnë edhe më shumë subvencione për të ulur shpenzimet e energjisë.

Adnan Qaili

Loading...

Shpërndaj me

Loading...