Kancelaria gjermane Angela Merkel nesër pritet ta bindë personalisht presidentin francez Emanuel Makron që të mos bllokojë datën e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Por gjithnjë e më të fuqishëm janë zërat se Parisi nuk do të heqë dorë nga miratimi i strategjisë së re për bisedimet gjë që do të shtynte dhënien e datës për vitin e ardhshëm. Sipas Radios Evropës së Lirë, në draft konkluzionet e përgatitura nga Finlanda, si kryesuese e BE-së parashikohet që konferenca e parë ndërqeveritare, të mbahet në gjysmën e parë të vitit 2020. Megjithatë kryeministri Zoran Zaev nuk ka humbur optimizmin. Sipas tij çështja e metodologjisë së zgjerimit të BE-së nuk duhet të shtyjë dhënien e datës.

Debati për metodologjinë e zgjerimit nuk guxon që të jetë arsye që ne të mos e marrim datën për fillimin e negociatave apo vendimin për fillimin e negociatave. Atë vendim unë besoj se ne do e marrim. Të gjitha vendet që së shpejti janë anëtarësuar kanë bërë më pak prej nesh. 06-10 Presim që BE-ja ta mbajë fjalën – deklaroi Zoran Zaev – Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Kreu i VMRO-DPMNE-së opozitare, shprehet mjaft skeptik për marrjen e datës, ndërsa arsyet kryesore të ngecjes sipas tij janë miratimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve si dhe trajtimi i Maqedonisë së bashku me Shqipërinë.

Zoran Zaev dhe LSDM janë fajtorët kryesorë që sot është vënë nën pikëpyetje dhënia e datës për fillimin e negociatave për dy arsye. Arsyeja e parë është që atëherë, në mënyrë pafundësisht të gabueshme, në mënyrë komplet të gabueshme, e kanë lidhur Maqedoninë me Shqipërinë dhe e dyta është miratimi i ligjit për gjuhët në atë mënyrë – u shpreh Hrisjtan Micksoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Ai madje thotë se nëse arrin të bindë shumicën e deputetëve në Parlament, do të kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Mendoj që VMRO-DPMNE-ja dhe qytetarët në RM dhe subjektet tjera të përgjegjshme politike, do të ndajnë rrugët nga kjo ide e Zaevit dhe të gjithë së bashku do e formojmë një shumicë parlamentare prej 61 deputetësh që të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare – theksoi Hristjan Micskoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Por kryeministri Zoran Zaev nuk e sheh të arsyeshme të shkohet në zgjedhje edhe sikur Maqedonia të mos merr datë këtë vit.

Nuk po mendojmë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, sepse nuk mendojmë se do të marrim vendim negativ. E dyta, mendoj se edhe po të merret vendim negativ nuk duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme sepse duhet të shfrytëzohet kjo mundësi ekonomike – u shpreh Zoran Zaev, Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Ndërkaq takimi i djeshëm i ambasadorëve të vendeve anëtare në Bruksel mësohet që ka qenë mjaftë i shkurtër për shkak të qëndrimit të prerë të përfaqësuesve të Francës, në lidhje me ndryshimin e metodologjisë së zgjerimit të BE-së. Këto qëndrime të francezëve pritet të jenë tema kryesore e takimit të diplomatëve të vendeve anëtare të BE-së, që do të mbahet të martën. Vendimi eventual pozitiv, për dhënien e datës për hapjen e negociatave me BE-në për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, do të vërtetohej në samitin e BE-së që do të mbahet në Bruksel më 17-18 tetor.

Besian Leka

Loading...

Shpërndaj me

Loading...