Treguesit demografik të Shqipërisë shënuan një rekord negativ historik, teksa për herë të parë numri i vdekjeve ka kaluar atë të lindjeve. Instituti i Statistikave në Shqipëri raportoi se në tremujorin e parë të këtij viti në vend lind 285 veta më pak se sa vdiqën për të njëjtën periudhë duke bërë që shtesa natyrore e popullsisë të rezultojë negative.

Të dhënat e detajuara tregojnë se përkeqësimi i treguesve të popullsisë është rezultat i rënies së lindshmërisë. Sipas INSTAT, për periudhën janar mars të këtij viti në të gjithë vendin u regjistruan vetëm 5669 lindje ose 18 për qind më pak se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Lindshmëria në Shqipëri po bie me ritme të shpejta duke paralajmëruar një krizë të thellë demografike në të ardhmen. Sipas INSTAT, vitin e kaluar numri i lindjeve shënoi nivelin më të ulët që nga viti 1930, kohë në të cilën shteti shqiptar krijoi për herë të parë regjistrin civil. Por ky rekord negativ me gjasa do të përkeqësohet sërish këtë vit.

Në tre dekadat e fundit, popullsia e Shqipërisë është ulur me 410 mijë vetë. Por shkaku i kësaj rrudhje ka qenë i lidhur vetëm me emigrimin masiv i shqiptarëve.

Tani vendi po kërcënohet edhe nga shtesa natyrore negative e popullsisë, pra rënia e lindshmërisë nën nivelin e vdekjeve, çka do ta thellojë edhe më shumë tkurrjen e popullsisë.

Ky skenar i frikshëm për Shqipërinë u paralajmërua edhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila në një raport të fundit parashikon se brenda një shekulli popullsia e Shqipërisë mund të rrudhet edhe nën 1 milionë vetë.

Shpërndaj me