Deponitë me 40 mijë ton të mbeturinave toksike në oborrin e Ohisit nuk janë të vetmet që i la pas punës një dekadëshe ky ish gjigant kimik. Një ish-punonjës i fabrikës, në emisionin “360 gradë” në Alsat tregoi dokumentacion me të cilin pretendon se 8 mijë ton mbeturina nga prodhimi i pesticidit lindan janë depozituar mbi lagjen Draçevë, në lokalitetin Pelenica.

Duke gërmuar dokumentacione, kam ardhur në dokumentet se këtu në këtë vend ka leje për depozitimin e mbeturinave të rrezikshme. Ndoshta është depozituar një pjesë e mbetjeve delta pasta. Megjithatë duhet bërë analiza dhe të shohim nëse është Delta ose mbetja tjetër e lindanit. Leja për përdorim është dhënë në vitin 1975 deri në vitin 1980, kur është sjellë mbetja e rrezikshme nga prodhimi i pesticideve lindan – tha Sreten Stojkovski, ish punonjës i OHIS-it.

Pretendimet e Stojkovskit janë mbështetur edhe nga Fakulteti i Teknologjisë dhe Metalurgjisë në Shkup, ku ka mbrojtur punimin e magjistraturës mbi këtë temë. Deponia potenciale përmendet edhe në planin lokal mjedisor të komunës Kisella Vodë nga viti 2016, i cili thotë se nuk ka informacion nëse mbeturinat janë ende në fuçi metalike të groposura cekët në Pelenicë, ose helmet tashmë janë shpërndarë/derdhur. Ekipi i “360 Gradë” kontaktoi me një mjeke, nga Klinika e fëmijëve në Shkup. Ajo gjatë një hulumtimi të saj ka gjetur përqendrime të larta të niveleve të lindanit te fëmijët me pubertet të parakohshëm. Mjekja thotë se madje te 24 vajza të testuara me zhvillim normal nga Shkupi kanë gjetur lindan në gjak.

Rezultatet treguan se fëmijët tanë, përqindje e vogël, 10-15 për qind kanë derivate të DI-DI-Ti, por shumica, pothuajse të gjithë fëmijët, edhe grupi i kontrollit ka pasur vlera të konsiderueshme më të larta të lindanit. Ne madje u përpoqëm dhe organizuam një konferencë në lidhje me këtë gjetje tonë të rastit, dhe të ju them se nuk pati jehonë të gjerë në publik – tha Marina Kërstevska-Konstantinova, Klinika e Fëmijëve, Shkup.

Lindani është një pesticid që dikur është prodhuar në Ohis për përdorim në bujqësi. Në vendin tonë ai ndalohet për përdorim nga viti 2009. Problemi për të cilin përgjegjës është pushteti qendror, është në fazën fillestare të zgjidhjes. Vlerësimet janë se për pastrimin e deponisë së vogël në OHIS do të duhen 5 vjet, dhe për të madhen plus 10 vjet. Për deponinë mbi Draçevë, nga Ministria e ekologjisë thonë se kanë në plan ta hulumtojnë vendin dhe të ndalojnë qasje në të, por nuk thanë se kur do ta bëjnë këtë.

Alsat M

Shpërndaj me