Të dielën në ora 10 e 30 sipas orës lokale, në Prespën e anës Greke, nën mbikëqyrjen e diplomatëve të rëndësishëm ndërkombëtar, do të nënshkruhet marrëveshja që i jep fund kontestit 25 vjeçar të emrit, mes Maqedonisë dhe Greqisë. Ministrat e jashtëm të dy vendeve Dimitrov dhe Kocias do të hedhin firmën në tekstin i cili përbëhet nga 20 nene, e me të cilin, Maqedonisë i ndryshohet emri në Republika e Maqedonisë së Veriut. Dëshmitarë në këtë ngjarje do të jenë: ndërmjetësuesi i OKB-së për çështjen e emrit, Methju Nimic, përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian Federika Mogerini, eurokomesari për zgjerim, Johanes Han dhe Rozmari Di Karlo, zëvendësja e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guteresh. Ministri i Jashtëm vendas, Nikolla Dimitrov tha se dita e nesërme është ditë historike dhe se me arritjen e kësaj marrëveshje, lehtësohet rruga euro-atlantike e vendit. Ai i quan të dëmshme politikat e opozitës që haptazi janë kundër marrëveshjes së arritur.

Kemi forca që mundohen për të ardhmen dhe duan të shkojnë përpara, por kemi edhe forca që mundohen që na tërheqin mbrapa në të kaluarën. Të kaluarën nuk mund ta ndryshojmë ndërsa e ardhmja është në duart tona. Mendoj se është një hap i madh dhe ne mburremi për marrëveshjen e arritur për miqësi me Bullgarinë. Tani kjo që na mbetet është çështja e fundit e hapur. Në njëfarë mënyre mbaron një fazë e pikëpyetjeve dhe do të jetë shumë e rëndësishme që kjo zgjidhje t’i hap dyert drejtë BE-së dhe NATO-s. Përveç ndërtimit të miqësisë me Greqinë, motivet maqedonase janë pikërisht këta, që t’i hapim dyert e integrimeve – derklaroi ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov.

Kryeministri Zaev, dje nga vendlindja e tij bëri me dije që me nënshkrimin e marrëveshjes me Greqinë, Ballkani i dërgon sinjal pozitiv perëndimit që është arritur pjekuri politike dhe se i gjithë rajoni duhet të jetë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Ne ditën e diel do e nënshkruajmë marrëveshjen. Gjithsesi kjo do të përcjellë mesazh politik miqësorë. Mua më vjen mirë që e gjithë kjo ndodh në një periudhë kur Ballkani udhëheq me Unionin Evropian, apo më saktësisht thënë Bullgaria e kryeson Unionin. Unë ndihem shumë me fat që edhe Evropës Perëndimore i dërguam sinjale të “Sjelljes Evropiane”, ashtu që ne kemi të drejtë që si Ballkan këtu, të jemi pjesë e Evropës – deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Në delegacionin zyrtar të Maqedonisë, përveç kryeministrit Zoran Zaev dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, pritet që të jenë edhe zëvendëskryeministrat Bujar Osmani, Radmilla Shekerinska dhe Oliver Spasovski. Ligji për ratifikimin është planifikuar që të kalojë në seancën qeveritare të hënën në ora 09:00, pas së cilës do të dërgohet në Kuvend.

Besian Leka

Loading...

Shpërndaj me

Loading...