Numri i fëmijëve të prekur nga kanceri shënon rritje. Por, askush nuk mund të tregojë numrin e saktë të personave të sëmurë në vend për shkak se nuk ka regjistër për njerëzit e prekur nga kanceri. Derisa të rregullohet regjistri, për të cilin nuk ka të dhëna të sakta kur do të jetë gati, Organizatat Joqeveritare bazohen në informacionet jozyrtare.

Gjatë bisedës me mjekët, ndonjëherë marrim informata se për çdo ditë vjen ndonjë fëmijë i prekur nga kanceri. Kjo shifër është tmerruese dhe për këtë duhet të flitet shumë seriozisht -tha Marija Tasev, Shoqata “Sano”.

Nga Klinika për Sëmundje të Fëmijëve shprehen se çdo ditë për shërim vijnë rreth 15 fëmijë me sëmundje malinje në Repartin e Onkologjisë, por se edhe në Repartin e Hematologjisë pranohen fëmijë me këto sëmundje. Për këtë, nga Organizata Joqeveritare “Sano”, shprehen se nevojiten terapi të reja dhe mënyra të shërimit si dhe përmirësim të kushteve për kurimin e fëmijëve. Dhe përderisa nuk ka zgjidhje institucionale, fëmijëve u ndihmojnë persona që paraprakisht kanë qenë të prekur nga këto sëmundje dhe të cilët me sukses kanë fituar betejën me kancerin. Mes tyre është edhe Angella Todorovska nga Shkupi, e cila para 10 viteve ka qenë e prekur me leukemi. Ajo tani është shëruar dhe është studente dhe vullnetare e cila u ndihmon fëmijëve në Repartin e Hematologjisë në Klinikën e fëmijëve.

Mbështetja jonë është që t’u ndihmojmë prindërve të cilët kalojnë periudhë shumë të vështirë në jetën e tyre. Ne të shëruarit jemi shembull për atë se kanceri mund të shërohet dhe se të gjithë ne jemi të shëndoshë dhe funksionojmë siç duhet. Vetëm duhet mendim pozitiv dhe të kalohet kjo periudhë. Askush nuk thotë se kjo periudhë është e lehtë, por se kanceri ka ilaç – u shpreh Angella Todorovska, e shëruar nga kanceri.

Me sfida të ngjashme ballafaqohen edhe shtetet përreth. Sipas disa statistikave në tre- katër vitet e fundit, Serbia është shteti i pari në Evropë për nga numri i fëmijëve të prekur nga kanceri.

Pas shërimit tim, formuam ekip i cili merret me dhënien e mbështetjes të rinjve që kanë përfunduar shërimin nga kanceri. I vizitojmë spitalet ku fëmijët shërohen, i vizitojmë shkollat dhe i mësojmë të rinjtë se si të luftojnë me tërë atë që kanceri e sjell me vete – deklaroi Milica Shimanoviç, e shëruar nga kanceri, Serbi.

Dhjetë vite jam shëruar nga leukemia akute. Tani kam 26 vjet. Në Kroaci punojmë në një projekt ku shkojmë nëpër shkolla, aty ku fëmijët mbarojnë shërimin dhe i edukojmë se si ta lehtësojmë procesin e kthimit në shkollë. Shoqërohemi edhe me fëmijët të cilët janë aktualisht në shërim, i udhëzojmë se si duhet të sillen dhe për çfarë duhet të kenë kujdes – Mihaill Severinac, i shëruar nga kanceri, Kroaci.

Të rinjtë nga rajoni që e kanë fituar betejën me sëmundjet malinje, sot i ndanë mes tyre përvojat se si t’u ndihmojnë fëmijëve që vuajnë nga sëmundjet e rralla.

Miki Trajkovski

Loading...

Shpërndaj me

Loading...