Skuadra e Liverpullit ka triumfuar në Stamboll kundër Çellsit dhe ka fituar Superkupën e Europës, për herën e katërt në historinë e klubit. Skuadra e Jyrgen Klop ka patur nevojë për penalltitë për të siguruar trofeun, pasi ndeshja në kohën e rregullt (1-1) dhe ajo shtesë (2-2) u mbyll në barazim. Takimi i zhvilluar në Stamboll, do të mbetet në histori për shkak se ka qenë finalja e parë e një kompeticioni europian për meshkuj e arbitruar nga një femër dhe Superkupa e parë e Europës e luajtur mes dy ekipeve angleze, ka qenë i luftuar nga minuta e parë deri tek ajo e fundit. Kanë qenë londinezët që kanë zhbllokuar takimin me Zhiru në minutën e 36-të, ndërsa reagimi i “Të Kuqve” ka ardhur në fillimin e pjesës së dytë, në minutën e 48-të, me Sadio Mane, i cili është bërë afrikani i parë që shënon në Superkupën e Europës pas Frederik Kanoute për Seviljën kundër Barcelona-s në 2006-ën. Koha e rregullt është mbyllur në barazim 1-1 dhe koha shtesë ka filluar me dy gola të shpejtë: Mane ka shënuar për Liverpulin në të 95-ën, ndërsa Zhorginjo ka barazuar për “Blutë” me penallti në të 101-ën. Barazimi 2-2 ka mbetur i pandryshuar deri në minutën e fundit të kohës shtesë dhe dy ekipet kanë i janë drejtuar pikës së bardhë për të përcaktuar fituesin. Ruleti i penalltive ka shpërblyer Liverpul-in, që e ka fituar sfidën e 11-metërshave 5-4 falë penalltisë që Adrian i ka pritur Abraham-it.

Loading...

Shpërndaj me

Loading...