Ligji për shlyerjen e normave të interesit për personat fizik është në rend dite në seancë parlamentare. Pritjet janë që ligji të miratohet sepse ka marrëveshje mes deputetëve që një numër ligjesh të rëndësishme për qytetarët të miratohen para zgjedhjeve. OJQ-të janë të kënaqura me vendimin për të shlyer normat e interesit sepse qytetarët nuk mund të paguajnë me të ardhurat e tyre mujore, por thonë se lufta e tyre nuk ndalet këtu.

Ka lëndë për të cilat pohojmë që ka vjetërsi absolute dhe do të kërkojmë mundësi të vlejë edhe për kompanitë private dhe bankat. Atje qytetarët janë të futur nëpër labirinte dhe vështirë do të dalin pa ndonjë ndihmë konkrete nga Qeveria. Ky ligj vlen me rekomandim deri tek kompanitë private, por sa ata do të kenë “veshë” për të dëgjuar, nuk di”-tha Marijan Ristovski- “Stop përmbaruesve”.

Nga Ministria e Drejtësisë si propozues i ligjit për Alsat thonë që qytetarët jo me fajin e tyre, sidomos familjet me rrezik social, ballafaqohen me norma interesi dhe disa herë e tejkalojnë borxhin bazë.

Kreditorët që janë në pronësi shtetërore ose publike, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë të detyruar të shlyejnë plotësisht normën e interesit, dhe të riprogramojnë borxhin kryesor dhe shpenzimet brenda tre muajve, nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Kreditorët, që janë në pronësi private, shlyerjen e normës së interesit, si dhe riprogramimin e borxhit kryesor dhe shpenzimet do ti kryejnë në baza vullnetare”-thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Ligji do tua falë normën e interesit të borxheve qytetarëve që i detyrohen shtetit dhe ndërmarrjeve publike përfundimisht më 31 dhjetor 2017. Tek ndërmarrjet private mbetet të vendosin, nëse do ta respektojnë ligjin ose jo. Për shkak të borxheve të mëdha, aktualisht në vend ka mbi 80 mijë qytetarë dhe rreth 40 mijë kompani me llogari të bllokuara.

Ile Petreski

Loading...

Shpërndaj me

Loading...