Me ligjin e ri për legalizimin e objekteve ilegale nuk do të mund të legalizohen ndërtesat e ndërtuara në mënyrë jo të rregullt, shtesat e ndërtesave dhe tarracat. Propozim-ligji i cili tashmë është dërguar në Kuvend nuk do të vlejë as për objektet kontestuese, që janë ndërtuar në zonën e mbrojtur të Ohrit. Ndërsa për objektet ilegale nëpër parqet nacionale siç janë platformat në Matkë, pritet të vendosin institucionet. Pas miratimit të ligjit të ri, qytetarët do të kenë afat prej 6 muajve të dorëzojnë kërkesë për legalizimin e ndërtimeve ilegale. Nëse nuk e respektojnë afatin, objekti do të prishet.

 Dokumentacioni i nevojshëm mbetet i njëjtë. Kopje nga letërnjoftimi ose certifikatë shtetësie nëse është person fizik, certifikatë për regjistrin qendror nëse është person juridik, dëshmi për kyçjen e objektit ilegal në infrastrukturën e ujit dhe të rrymës apo fatura të ujit apo rrymës. Nëse objekti nuk është i kyçur në këtë infrastrukturë, duhet të dorëzojë deklaratë të nënshkruar në noter, e dhënë nën përgjegjësi penale dhe materiale me të cilët kërkuesi do të vërtetoj kur është ndërtuar objekti”-tha Goran Sugareski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Sugareski deklaroi që ekzistojnë objekte publike që i shfrytëzojnë institucionet ndërsa janë ndërtime ilegale. Me ligjin e ri, në vend të legalizimit për 1 euro për metër/ katrorë, do të duhet të paguhet shuma e plotë për taksat, aq sa kushton në komunë dhe plus gjobë prej 50% nga vlera e përgjithshme. Çmimet e reja nuk do të vlejnë vetëm për rastet sociale. Ligji do të vlejë për objektet ilegale të ndërtuara deri më 1 tetor të vitit 2019. Ndërsa lëndët për legalizim që janë në procedurë, do të vazhdojnë sipas ligjit të vjetër. Deri tani, me këtë ligj janë legalizuar rreth 250 mijë ndërsa me ligjin e ri duhet të legalizohen edhe 100 mijë objekte.

Ile Petreski

Loading...

Shpërndaj me

Loading...