Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi mbron qëndrimin rreth miratimit të ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ai tha se punon konform rregullores së Kuvendit dhe Kushtetutës, pa precizuar nëse do të zvarritet edhe më tej procedura rreth miratimit të ligjit, nëse subjektet nuk gjejnë gjuhë të përbashkët rreth tejkalimit të bllokadës me amendamentet.

“Kryetari i Kuvendit nuk ka plane të tilla në punën dhe funksionimin e Kuvendit. Kryetari ka para vetes Rregulloren dhe Kushtetutën në të cilën janë të sanksionuara kompetenca dhe procedura të caktuara – deklaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

A do të votohet përsëri ligji nëse nuk ka marrëveshje?

Kryetari i Kuvendit nuk mendon për marrëveshjet. Zbaton Rregulloren dhe Kushtetutën, ndërsa për marrëveshjet drejtohu në parti politike – u përgjigj ai.

Nga ana tjetër deputeti i BDI-së Xhevat Ademi pretendon se nuk ka mosmarrëveshje mes partnerëve të koalicionit lidhur me ligjin për gjuhët, edhe pse vet kreu i Kuvendit Xhaferi ditë më parë në Alsat M akuzoi disa deputetë të LSDM-së për mos pjesëmarrje në seancë ku duhej të miratoheshe ligji për gjuhët.

“Ne presim edhe Menduh Thaçin që të vij dhe bashkë me deputetin turk që i është bashkuar shumicës, t’i kemi jo 69 por 71, për inat të Ivanovit. Për BDI-në dhe shumicën parlamentare, të jem korrekt, ligji për gjuhën shqipe është i panegociueshëm. Nuk shohim as nevojën më të vogël që ne si partner të kthehemi dhe të negociojmë për diçka që jemi marr vesh që moti – deklaroi deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski i pyetur nëse është i mundur konsensusi rreth amendamenteve deri javën që vjen, u shpreh se nuk pranon ultimatum dhe se nga ana e tyre tashmë është ofruar zgjidhja e duhur.

“Ultimatume nuk komentoj dhe nuk është nivel i imi të komentoj qëndrime të tilla. Qëndrimi ynë është i qartë, decid dhe konciz dhe jep mundësi për dalje nga kjo situatë – deklaroi kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Anëtari i kryesisë së LSDM-së, Edmond Ademi mohon zërat se socialdemokratët janë kërcënuar nga partia e Mickoskit me distancim nga proceset reformuese në rast se nuk shqyrtohen mbi 35 mijë amendamentet ndaj Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

“Nuk ka as deputet pishman dhe as nuk ka pishman në atë drejtim që duhet ose jo të sillet ligji – tha Edmond Ademi, LSDM

Ditë më parë, VMRO-DPMNE-ja hodhi poshtë zërat se është kërcënuar me largim nga grupet e punës për ligjet reformuese në rast se nuk shqyrtohen amendamentet e këtij subjekti për ligjin e gjuhëve. Nga partia e Mickoskit konfirmuan edhe njëherë se variant tjetër përpos shqyrtimit të amendamenteve mbetet anulimi i ligjit dhe përpilimi i tij me përfshirjen e ekspertëve. Ndonëse subjektet heshtin, burime të Alsat M bëjnë të ditur se mbi ligjin e gjuhëve dhe amendamenteve ndaj tij, nuk përjashtohet takim i mundshëm i liderëve. Ditë më parë, Kryeparlamentari Talat Xhaferi njoftoi se seanca për votimin e ligjit në lexim të tretë dështoi për shkak të rezervave që sipas tij kishin deputet të caktuar socialdemokrat si dhe dallimeve mes BDI-së dhe LSDM-së rreth modelit të shqyrtimit të amendamenteve. BDI kërkon që të mos shqyrtohet asnjë amendament, ndërsa LSDM insiston që të paktën të respektohen procedurat parlamentare. Ligji për përdorimin e gjuhëve u votua më 11 janar, ndërsa më 17 janar Presidenti Ivanov njoftoi mos dekretimin e tij.

Adrian Kerimi

Shpërndaj me