Qeveria ndryshon ligjin për emërimin e nëpunësve të lartë udhëheqës shtetërorë. Ligji i ri do t’i përfshijë: udhëheqësit e sektorëve në ministritë, organet e pavarura në administratën shtetërore, ndërmarrjet publike, institucionet shëndetësore dhe shoqatat tregtare që janë në pronësi të plotë shtetërore. Ky është hapi i parë drejt depolitizimit të administratës, meqë udhëheqësit e rinj do t’i përzgjedhë komisioni i përzier i ekspertëve, opozitës dhe pushtetit – shprehet numri “një” i këtij dikasteri.

Ata udhëheqës të lartë më në fund do të duhet të tregojnë edhe rezultate. Duhet doemos të kemi ndonjë mënyrë dhe t’i konsiderojmë përgjegjës. Nuk mund t’i lëmë të mbrojtur dhe askush mos mund t’i ndërrojë, ose nëse nuk heqë dorë vetë. Ose vetëm nëse bën vepër penale”- tha Damjan Mançevski, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Propozimi fillestar për kandidatët për anëtarë të komisionit për shërbime të larta udhëheqëse është: të ketë leje qëndrimi të rregulluar me ligj, të ketë arsim të lartë, të jetë ekspert i dalluar në fushën e tij, të ketë së paku 15 vite përvojë pune në pozicione të përgjegjshme shoqërore. Gjithashtu në katër vitet e fundit kandidati nuk guxon të ketë qenë deputet, anëtar i Qeverisë, kryetar komune ose donator i ndonjë partie politike.

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, formon komision për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit për shërbim udhëheqës, i përbërë prej shtatë anëtarëve. Një anëtar i emëruar nga odat ekonomike, një anëtar nga Konferenca inter-universitare, një nga BNJVL-ja, dy anëtar nga partitë në pushtet dhe dy nga opozita“- pohoi Jahi Jahija, sekretar shtetëror i MSHIA-së.

Ekspertët kërkuan që teksti i ligjit të ketë korrigjime dhe të zgjerohet përfshirja…. Nga sektori civil thonë se duhet doemos të bëhet ligj që do të ushtrojë kontroll më të lartë ndaj punës së funksionarëve publik.

Vetë ligji flet për nevojën e hapjes së të dhënave dhe kjo është për mua një sinjal i mirë dhe kjo përgjegjësi është drejtpërdrejt e deleguar në nivelin më të lartë udhëheqës dhe flet për profesionalizmin dhe obligimin e udhëheqësve që të përgjigjen para institucioneve, t’i motivojnë të punësuarit dhe të japin llogari para Qeverisë dhe para institucioneve që i udhëheqin”- Neda Maleska, Qendër për Menaxhimin e Ndryshimeve.

Kompetentët presin që për rreth dy muaj ligji të hyjë në procedurë parlamentare. Ligji i ri nuk do t’i kursejë as udhëheqësit aktual të funksioneve shtetërore dhe ata do të kontrollohen nga komisioni për punën e tyre të deritanishme. Ndryshe, hulumtimi i fundit i sektorit joqeveritar tregoi se dy drejtorë dhe 15 anëtarë të këshillave mbikëqyrëse të ndërmarrjeve publike në vend janë me arsim të mesëm, që bie ndesh me ligjin.

Ile Petrevski

 

Shpërndaj me