Dorëheqja e befasishme e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka trazuar  elitën politike. Në reagimet e njëpasnjëshme, theksi është vendosur tek zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Madje edhe vet Haradinaj pasi tha se mandatin ia kthen popullit, i bëri thirrje presidentit të shtetit ashtu siç parashihet në Kushtetutë të konsultohet me partitë politike dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Të njëjtën gjë kanë kërkuar edhe  Lëvizja Vetëvendosje, LDK-ja, PSD e NISMA.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti shpalosi mundësinë që në zgjedhje të shkojë  në koalicion me LDK-në . Ai tha se Haradinajn e kishin paralajmëruar disa herë se “sa më afër gjarprit të qëndrojë, aq më i rrezikuar është”.

Deri më 21 mars të vitit të kaluar Haradinaj e kishte kapur gjarprin për koke, pas 21 marsit të vitit 2018 kur u ratifikua demarkacioni “MEHA” Haradinaj e mbante gjarprin për bishti. Se a intervistohesh nga Prokurori Special si Kryeministër apo si ushtrues detyre,  kjo nuk përbën dallim për Gjykatën Speciale. Dallimi është në Kosovë dhe jo në Hagë. Nuk e kemi më një Qeveri që ishte e mbrapsht dhe e pa shpresë, ashtu siç ishte e madhe.”- theksoi Albin Kurti- Kryetarë i VV

Presidenti Hashim Thaçi përmes një reagim në faqen e tij zyrtare në Facebook pohon se  do të veprojë në përputhje  me kompetencat e tij kushtetuese. Ndër të tjerat ai shkruan se  beson në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vlerat e larta morale të ushtarëve të lirisë.

Nga mediat tani u informova edhe për vendimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e tij. Unë e respektoj vendimin e tij dhe si President i Republikës së Kosovës ju siguroj se do të veprojë bazuar në kompetencat e mia kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do të njoftohen me kohë. Unë besoj në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe besoj në vlerat e larta morale të ushtarëve të lirisë. As vlerat e lirisë sonë dhe as luftën e UÇK-së nuk mund ta cenojë askush! “- tha – Hashim Thaçi – Presidenti i Kosovës

Pas Ramush Haradinajt dhe këshilltarit të presidentit, Hashim Thaçi, ish-shefin e Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi,  Gjykata Speciale në Hagë ka lëshuar edhe fletëthirrje të tjera. Sot  ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-anëtar dhe zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Jakup Krasniqi informoi se gjithashtu ka pranuar  ftesë për t’u marrë në pyetje nga Gjykata Speciale. Kjo gjykatë, selia e së cilës gjendet në Hagë, u themelua me vendim të parlamentit të Kosovës, ndërsa në të punojnë prokurorë e gjykatës ndërkombëtar që do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte dhe të pasluftës.

Evi Shkopi

Loading...

Shpërndaj me

Loading...