Kancelari austriak, Sebastian Kurz përjashtoi bashkëpunimin e mëtejshëm me zëvendëskancelarin, Heinz-Christian Strache pasi ky i fundit dyshohet se ka ofruar kontrata qeveritare në shkëmbim të mbështetjes politike.

Është ende e paqartë nëse ky vendim do të shkaktojë shpërbërjen e koalicionit qeveritar mes Partisë Konservatore të Popullit të Kurzit dhe partisë së ekstremit të djathtë të Straches, Partia e Lirisë (FPOE), apo dorëheqjen e këtij të fundit si zëvendëskancelar.

Pamje të filmuara nga kamera të fshehta në një vilë në Ibiza, në vitin 2017, sipas gazetave gjermane ”Der Spiegel” dhe ”Sueddeutsche Zeitung” tregojnë një takim të Straches me mbesën e një oligarku rus, Aljona Makarowa, e cila ofrohej të investonte rreth 250 milionë euro, sidomos në të përditshmen “Kronen Zeitung”, me para të pista, me prejardhje të panjohur.

“Nëse ajo merr ‘Kronen Zeitung’ tri javë përpara zhvillimit të zgjedhjeve dhe na nxjerr në vend të parë, atëherë mund të flasim për gjithçka”, thotë Strache në këtë video.

Në fakt, gruaja në video ishte në realitet një e infiltruar dhe takimi në Ibiza një kurth.

Në video, që dokumenton një takim prej shtatë orësh, zëvendëskancelari dhe krahu i tij i djathtë, Johann Gudens i thurin elozhe sistemit të Orbanit (kryeministri hungarez – shën. i përkth) për kontrollin e medias.

Ndërmjet opsioneve propozuar ”ruses” flitet edhe për financimin e FPOE-s me forma të diskutueshme financimi, që do të thotë se fondet do të kalonin nëpërmjet shoqatave të ndryshme, në një mënyrë të tillë që do të anashkalonin gjykatat dhe ligjet austriake./ATSH

Loading...

Shpërndaj me

Loading...