I ati i saj vdiq në mënyrë misterioze, kur ajo ishte vetëm 8 vjeçe. Disa mendonin se atë e vranë për qëllime politike, por ende sot nuk dihet arsyeja e vërtetë e vdekjes së tij. Gjithsesi, kjo ngjarje shërbeu për ta afruar më shumë Nënë Terezën me të ëmën, e cila ishte një e krishterë e devotshme që i mësoi vajzës së saj rëndësinë e bamirësisë.

Aq i madh ishte ndikimi i së ëmës, saqë në moshën 12 vjeçare, Nënë Tereza vendosi t’i shërbente plotësisht besimit. Ajo, madje u përfshi edhe në një urdhër për t’u mësuar murgeshave të tjera mbi besimin e krishterë. U shndërrua kështu në një mësuese, duke i shërbyer këtij profesioni për 20 vite të jetës së saj.

Por jeta e saj ndryshoi rrënjësisht, kur ajo mori një “thirrje” prej Zotit, siç edhe vetë Nënë Tereza e ka quajtur, e cila e nxiti të linte mënjanë rolin e dishepullizueses për murgeshat e reja dhe të shkonte të jetonte në vendet më të varfëra në botë. Viti i parë në Kalkuta ishte tepër sfidues për të. Iu desh madje të lypte për ushqim, njësoj me njerëzit e atij vendi, të cilët jetonin në varfëri ekstreme. Edhe pse shpesh herë është shprehur se i kishte kaluar nëpër mendje të hiqte dorë nga diçka, sërish nuk e bëri, pasi ishte e vendosur të vazhdonte.

Reputacioni i saj filloi të rritej nga momenti, kur ajo filloi të hapte shtëpi strehimi për të pastrehët dhe për ata që ishin tepër në nevojë. Ajo madje shkoi në mes të natës t’i lutej biznesmenit më të fuqishëm në San Franciscos për ta kthyer një shtëpi të braktisur në një shtëpi banimi për të pastrehët. Kur ai i tha: “Këtë punë do ta shohim nesër në mëngjes”, Nënë Tereza u përgjigj: “Puna e Zotit nuk mund të presë deri nesër në mëngjes”.

Edhe pasi u nderua me çmimin “Nobel” për paqen, ajo refuzoi të realizohej banketi tradicional, në mënyrë që paratë e harxhuara për të, të përdoreshin për personat në nevojë. As sëmundjet si pneumonia, malarja, apo sëmundjet kardiake nuk e ndalën atë. Puna e Nënë Terezës vazhdoi në mënyrë të palodhur deri në vitin 1997, në të cilin ajo ndërroi jetë. Nga 13 murgesha, të cilat i mësonte mbi besimin, në shumë pak kohë ajo arriti t’i shërbente më shumë se 5000 njerëzve në mbi 130 vende të botës.

Ende në ditët e sotme, ajo njihet si një simbol i dashurisë dhe humanizmit. Ajo është një shembull se edhe roli i një drejtuesi, mund të bëhet me mirësjellje, humanizëm dhe dashuri. / bota.al

Loading...

Shpërndaj me