Heqja e kuotës së ilaçeve për disa nga qytetarët është një vendim që asnjëherë nuk duhet të shfuqizohet, derisa për disa të tjerë, ai duhet të zbatohet në të gjitha barantore. Të anketuarit e ALSAT me mendime të ndara mbi reformën e re të autoriteteve shëndetësore. Derisa një pjesë e tyre përshëndesin vendimin, disa të tjerë me ankesa se edhe pas heqjes së kuotës, nuk kanë mundur që disa ilaçe që janë në listën pozitive t’i gjejnë nëpër barnatore.

 “Kuotën e hoqën, por kur shkova ta mar ilaçin më thanë se kuota ende nuk është hequr. Terapitë për sheqerin janë me recetë, megjithatë “dekretolot”-in nuk munda askund ta gjej muajin e kaluar, e bleva privat 750 denarë… “.

“Marrim barna edhe me recetë edhe privat. Mbasi ka gjithë muajin tani nuk shpejtojmë t’i marrim barnat në fillim të muajit. Tani kam të marr disa ilaçe për tensionin, por nuk ka. Na ka ndodhë që nuk kemi gjetur, vetëm ditët e para të muajit dhe pastaj nuk kishte”

 “Unë marr barna por nuk i ndjek periudhën e muajit. Marr me recetë barna por shumë rallë”.

Ndërkohë disa qytetarëve iu është kërkuar letërnjoftimi për ilaçet që kanë marrë për vete, edhe pse një gjë të tillë, pasi e paralajmëroi, ministri i Shëndetësisë tha se po tërhiqet si proces, dhe se letërnjoftimi do të kërkohet vetëm në rast se ilaçi do merret në emër të tjetër kujt.

 “Edhe për vete mora barna dhe për bashkëshorten, dhe më kërkuan letërnjoftim për barnat e mia, por edhe letërnjoftimin e të shoqes e kisha në çantë por nuk ma kërkuan. Për mua kjo është më mirë, dhe jo me kuota, sepse dyzet vite kam paguar sigurim shëndetësor”.

 Disa të tjerë ankohen se nuk kanë hasur në probleme me mungesë të ilaçeve por me çmimet e tyre. Një pjesë e të anketuarve u ankuan për rritjen e çmimeve të ilaçeve që nga heqja e kuotës.

 “Po ka pasur barna në dispozicion, megjithatë çmimet e tyre janë shtrenjtuar. Unë përdori barna për zemrën, për shtypjen, pikërisht dje bleva, vetë ato më thanë se janë shtrenjtuar”.     

 Por ka edhe qytetarë të cilët nuk ishin aspak të informuar se kuota e ilaçeve është hequr e të cilët vazhdonin t’i merrnin ilaçet në fillim të muajit nga frika se nuk do i gjejnë pas datës 5. ALSAT iu drejtua Fondit Shëndetësor për të pyetur nëse deri tek ata kanë arritur ankesa nga ana e pacientëve për mungesë ilaçesh, mirëpo nga ky institucion thonë se që nga 1 tetori e deri më tash ankesa të tilla nuk kanë pranuar.

 

Vjollca Aliti                             

Loading...

Shpërndaj me

Loading...