Kumanova regjistron 3 raste të reja me virusin Korona në 24 orët e fundit. Gjatë ditës janë bërë edhe 7 teste prej të cilëve vetëm një ka rezultuar pozitiv. Me këtë numri i të infektuarve në nivel lokal shkon në 11, përfshi edhe viktimën 57 vjeçare e cila ndërroi jetë ditë më parë. Në mesin e të infektuarve është edhe mjeku specialist në Repartin Infektiv të Kumanovës, Aziz Bajrami. Rezultatin pozitiv kundrejt Covid-19, Bajrami e ka bërë të ditur në rrjetin social Facebook ku përmes një qëndrimi ka kërkuar të respektohen masat dhe rekomandimet e autoriteteve me qëllim ballafaqimin më efikas me pandeminë.

Sot pas testit për Covid19 rezultova pozitiv, pa simptoma dhe sipas protokollit për mbrojtje jam izoluar në shtëpi. Shfrytëzoj rastin që të apeloj tek të gjithë ju, që të respektoni rekomandimet e autoriteteve. Mosrespektimi i rregullave tashmë të njohura , nuk i ndihmon personelit mjekësor i cili përballet çdo ditë me këtë armik të padukshëm, por nuk ju ndihmon as juve- deklaroi  Aziz Bajrami, Mjek specialist infektolog.

Kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski kërkon që i gjithë qyteti të shpallet zonë karantine. Duke folur për masat e fundit, Dimitrievski kërkon nga Komisioni për Shëndetësi dhe Instituti i Shëndetit Publik më tepër infektologë që do t’i ndihmojnë Spitalit të Qytetit në ballafaqimin me virusin.

Komuna mbetet në qëndrimin e saj që qyteti të shpallet zonë karantine që nënkupton kontrolle në hyrje dhe dalje dhe dezinfektim në të gjitha pikat. Paralelisht kemi urdhëruar që të bëhet dezinfektim në të gjitha vendet ku janë evidentuar raste pozitive me virus- tha Maksim Dimitrievski, Kryetar i Komunës së Kumanovës.

Sipas vendimit të fundit të Qeverisë, në qytetin e Kumanovës nga sot ka ndaluar qarkullimi i autobusëve në qytet dhe me qytetet tjera. Qendrat tregtare të mbyllura dhe gjysmë të hapura do të mbyllen ndërsa bizneseve që shërbejnë ushqim u rekomandohet t’i vënë në funksion shërbimet mobile në bazë të porosive.

Adrian Kerimi

Loading...

Shpërndaj me

Loading...