Pas rishikimit të një pjese të projekteve të cilat nuk përfituan fonde nga Ministria e Kulturës, vendimi do të ndryshohet vetëm për një festival. Bëhet fjalë për festivalin “Zllatno Sllavejçe”, projekt i cili, sipas kryetarit të komisionit për veprimtari skenike-muzike dhe folklor, Pleurat Gashi, nuk ka përfituar fonde për shkak të një gabimi teknik.

Ndërkohë Gashi dhe kryetarët e komisioneve të tjera thonë se nuk kanë hasur parregullsi në raste të tjera, dhe vendimi nuk ndryshohet për pjesën tjetër të projekteve të refuzuara, përfshirë këtu edhe festivalin “Skopje Jazz Festival”, vetëm në rast se ministri i Kulturës Asaf Ademi vendos t’u japë afat shtesë për kompletimin e dokumentacionin. Kjo ka ngjallur reagimin e VMRO-DPMNE-së opozitarë, e cila kërkon rishikimin e plotë të programit vjetor.

VMRO-DPMNE dhe koalicioni ka dërguar kërkesë deri tek Kuvendi i Maqedonisë për debat mbikëqyrës për mënyrën e miratimit të programit vjetor të Ministrisë së Kulturës, për projekte me interes nacional për kulturën dhe për realizimin e programit kulturor për vitin 2018. Po për ata që nuk ka pasur reagim ndërsa janë ndarë shuma të mëdha kur do të bëhet revidim? Nëse bëhet revidim, duhet bërë revidim i të gjithë programit – tha Ane Llashkoska- VMRO-DPMNE.

Sipas VMRO-DPMNE-së, ky program vjetor është skandali më i madh kulturor i parë deri më tani dhe për këtë duhet të dorëhiqen kryeministri Zoran Zaev, këshilltarët e tij Llaskova dhe Allagjozovski si dhe ministri i Kulturës, Asaf Ademi.

Megjithatë kryetari i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi, parti nga radhët e të cilës është edhe ministri i Kulturës, programin vjetor e vlerëson krejt ndryshe nga VMRO-DPMNE.

Shpreh përkrahjen time të plotë personale, si kryetar i BESË-s, ndaj veprimit dhe të gjithë punës që e ka bërë Asaf Ademi, përfshirë këtu edhe miratimin e programit nacional. Nuk them se është i përkryer edhe ai edhe programi, ka gabime të vogla, por parimet mbi të cilat është punuar, unë ndjehem shumë mirë -deklaroi Afrim Gashi- Kryetar i Lëvizjes Besa.

Sa u takon festivaleve që përfituan fonde, por që thanë se nuk janë të mjaftueshme, kryetarët e komisioneve thanë se nëse diçka e tillë argumentohet me dokumentet e nevojshme, mund t’u lëshohen fonde shtesë, pasi çdo komision ka nga një shumë të caktuar në dispozicion. Ndërsa, komisionet do të vazhdojnë me shqyrtimin e projekteve të tjera të refuzuara. Ndryshe nga Ministria e Kulturës, nga Qeveria e Maqedonisë kanë thënë se nëse ka bazë, konkursi mund të shpallet i pavlefshëm dhe të shpallet nga fillimi. Nga gjithsej 5560 aplikime, Ministria ka pranuar të financojë 2781.

Evi Shkopi

Loading...

Shpërndaj me

Loading...