Mos zgjedhja e drejtorit të Entit Shtetëror të Revizionit, dëshmon se partnerët e koalicionit në pushtet, janë të interesuar për partizimin e skajshëm të institucioneve. Ky është vlerësimi i profesorit Izet Zeqiri, i cili shton se pasi LSDM dhe BDI nuk arritën të gjejnë gjuhë të përbashkët për drejtorin e Revizionit, tregojnë paaftësi dhe mospasjen e vullnetit politik për të qenë të denjë në luftën kundër korrupsionit.

Në këtë mënyrë ata e bllokojnë kontrollin e 1314 institucioneve të themeluara nga pushteti qendror dhe lokal dhe atë, 40% në nivel qendror dhe 60% në nivel lokal që të kontrollohen nga Revizioni shtetëror dhe njerëzit të cilët bëjnë keqpërdorime, udhëheqin në mënyrë jo transparente, joefektive të dalin para drejtësisë, pasi Revizioni shtetëror konstaton lëshimet me të cilat do merret prokurori publik”-tha Izet Zeqiri, profesor universitar.

Zeqiri thotë se Kuvendi nuk e respekton as rekomandimin e BE-së që të formojë komision parlamentar i cili do të shqyrtonte raportet e Entit të Revizionit. VMRO-DPMNE akuzon se pushteti e bllokon zgjedhjen e kreut të revizionit për të bllokuar raportet për 43 institucione.

 Frenohet puna e tij, nuk mund të publikohen raportet pa nënshkrimin e Revizorit kryesor. Kjo ndodh për vitet kur duhet të publikohet puna e pushtetit të ri pra për vitet 2017, 2018 dhe 2019”-tha Naum Stoillkovski, VMRO-DPMNE.

Nga LSDM dhe BDI shpresojnë se së shpejti do të ketë drejtor të Entit shtetëror të Revizionit. Konstadin Konstadinov, akuzoi deputetin e VMRO-DPMNE-së Ilija Dimovski se javën e kaluar në Komisionin për zgjedhje dhe emërime e keqinterpretoi rregulloren e Kuvendit.

 Kryetari i Komisionit për zgjedhje dhe emërime la hapësirë për interpretim, por nuk bëhet fjalë për interpretim dhe nuk duhet të luajmë lojëra posaçërisht kur është shteti në pyetje. Andaj mendoj se vendim ka nga Komisioni dhe presim çfarë do të ndodhë. Lëmë hapësirë për negociata me partitë parlamentare dhe në fund të sjellim vendim përfundimtar. Jam optimist se do të kemi revizor shtetëror”-pohoi Konstadin Konstadinov, LSDM

Ndërkohë, BDI konfirmon se është e gatshëm të mbështesë kandidat jopartiak.

 Vlerësoj se nëse partitë politike mirën vesh që atë institucion duhet ta udhëheq një person apartiak, cilësor, profesionist ajo mund të merret vesh dhe të votohet brenda çastit”-tha Artan Grubi, BDI.

Javën e kaluar, Komisioni parlamentar për Zgjedhje dhe emërime, siguroi 6 vota nga 13 të mundshme për kandidatin e propozuar nga LSDM Adem Curri. Por kryetari i Komisionit Ilija Dimivski vlerësoi se nuk janë siguruar votat e duhura pasi komisioni ka 13 anëtarë ndërsa të pranishëm ishin vetëm 12. Kjo pasi deputeti i BDI-së Ejup Alimi e lëshoi Komisionin, ngase kolegët e tij, nuk pranuan që kandidati i propozuar nga ai, Naser Ademi të zgjedhet në krye të revizionit.

Mefail Ismaili

Loading...

Shpërndaj me

Loading...