Me 82 vota për, 32 kundër dhe një abstenim deputetët e Kuvendit të Kosovës rrëzuan qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, duke votuar pro mocionit të mosbesimit që ishte inicuar nga partneri i koalicionit Lidhja Demokratike e Kosovës. Në sallën e Kuvendit në momentin e votimit ishin të pranishëm 117 deputetë.

Deri te votimi i mocionit erdhi pas gati 12 orë debati në Kuvend ku u përsëritën akuza e kundërakuza të tashmë ish-partnerëve të koalicionit qeverisës, prishja e të cilëve ndodhi për shkak të shkarkimit të ministrit të Brendshëm Agim Veliu që vjen nga radhët e LDK-së.

“Janë 82 voto pro mocionit, 32 kundër, dhe një abstenim. Me këtë konstatoj që Kuvendi i Kosovës e miratoi mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë”, ka deklaruar Vjosa Osmani, kryetare tashmë në detyrë e Kuvendit të Kosovës.

Pas votimit të këtij mocioni, Qeveria Kurti mbetet në detyrë, si qeveri në dorëheqje, ndërkohë që fillojnë procedurat për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti u zgjodh më 3 shkurt të këtij viti, pas nënshkrimit të marrëveshjes për koalicion qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës./Alsat

Loading...

Shpërndaj me

Loading...