Vetëm disa muaj para zgjedhjeve, LSDM-ja do të shqyrtojë koalicionin me BDI-në, pas dorëzimit të mbi 5 mijë amendamenteve për Kodin Zgjedhor nga partia e Ahmetit. Për kreun e partisë Zoran Zaev, dorëzimi i mijëra amendamenteve nga VMRO dhe BDI për të njëjtin propozim/ligj është i dyshimtë.

Dhe nëse BDI-ja e din se VMRO-DPMNja ka dorëzuar 9 mijë amendamente dhe ata dorëzojnë 5 mijë amendamente dhe janë partnerët tanë në qeveri… Unë mundem ta kuptoj se nga prezantimet tona shihet se sa fiton BDI-ja, sa fitojnë shqiptarët në përgjithësi në shtet, dhe prapë i dorëzojnë ato, më thoni ju mua çfarë të mendoj? Çfarë të mendojë populli? Sa është koalicioni i qëndrueshëm ose jo? Vërtetë kjo është një një arsye serioze për shqyrtim serioz që do të hapet në LSDM”-tha Zoran Zaev, kryeministër.

Inicuesit e nismës për një njësi zgjedhore, lista të hapura të kandidatëve për këshilltarë komunash dhe përfaqësim gjinor 50-50, kërkojnë që amendamentet të tërhiqen. Ata nuk do të tërheqin propozimet e tyre duke qenë të bindur se posedojnë shumicën.

Pas kësaj qëndrojnë 17 iniciues dhe në mënyrë plotësuese edhe grupi parlamnetar i LSDM-së. deri tani për këtë janë deklaruar 59 deputetë por disa kanë qenë në udhëtim. Kemi shumicë prej 65 deputetësh të cilët do t’i mbështesnin të dy propozimet”-theksoi Liljana Popovska, deputete iniciuese.

Nga VMRO-DPMNE-ja nuk do të pranojnë assesi debat për ndryshim të modelit zgjedhor të paktën 1 vit para zgjedhjeve.

Absolutisht jemi të hapur që të ulemi me të gjithë subjektet politike relevante të bisedojmë dhe të gjejmë drejtimin në të cilin do të lëvizin këto ndryshime por pas përfundimit të zgjedhjeve të 12 prillit. Tani në këtë moment mendojmë se është jashtë të gjitha kufijëve logjik, jashtë praktikave në botën e zhvilluar demokratike, ta bëjnë këtë”-tha Igor Janushev, sekretar i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së.

Lëvizja Besa është për modelin me 3 njësi zgjedhore dhe lista të hapura por nuk do të parashtrojë amendamente për propozimin për një njësi zgjedhore.

Nuk do të dorëzojmë amendamente dhe nuk jemi për një njësi zgjedhore. Këtë e kemi thënë edhe më herët. Asgjë nuk ndryshon. Një njësi zgjedhore me lista të mbyllura nuk ndryshon asgjë thelbësore por është vetëm një manipulim në opinion se diçka mund të ndryshojë. Nëse duam diçka të ndryshojmë duhet të jetë diçka më radikale dhe më subtanciale”-pohoi Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa.

Aleanca për Shqiptarët është për lista të hapura dhe tetë njësi zgjedhore. Edhe partia e Selës bën lidhje mes amendamenteve të BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së.

5000 amendamentet e dorëzuara nuk janë asgjë më shumë se 5000 arsye për bllokim të debatit parlamentar për ndryshime në kodin zgjedhor. Nga ana tjetër qëndrimet e përafërta dhe bashkëdorëzimi i amendamenteve me VMRO-DPMNE-në është një tregues i qartë për bashkëpunimet e tyre të ardhshme për bllokimin e proceseve që sjellin ndryshim në të mirë të përgjithshme, por sigurisht në dëm të tyrin personal!”-thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Gjithsej për dy propozimet për ndryshim të Kodit Zgjedhor janë njoftuar mbi 6 mijë amendamente nga BDI-ja dhe VMRO-DPMNE-ja të cilat praktikisht, nuk ka gjasë reale të përfundojnë së shqyrtuari para zgjedhjeve të prillit.

Fatlume Dervishi

Loading...

Shpërndaj me

Loading...