Jostabiliteti politik nuk do ta ulë eksportin, por nëse kriza vazhdon, atëherë do të shënojnë rënie investimet e kompanive në kapacitete të reja dhe fitimin e tregjeve të reja. Oda ekonomike e Maqedonisë pret tejkalim të shpejtë të krizës politike, që të vazhdojë optimizmi tek biznesi, e me këtë edhe rritja ekonomike.

Nëse Maqedonia futet në krizë politike, do të ndikonte në aktivitetin eksportues të kompanive. Por, të gjithë shpresojmë në Odën ekonomike dhe kompanitë që së shpejti do të tejkalohet kjo periudhë dhe se do të vazhdojë optimizmi – u shpreh Grigor Cvetanov kryetar i Klubit të eksportuesve

Nga Oda ekonomike apelojnë deri tek kompanitë vendore që të jenë më të hapur ndaj tregjeve të reja sepse kjo është mënyra e vetme për rritjen e tyre. Vetëm 5% e kompanive që punojnë në Maqedoni janë eksportuese, ndërsa vetëm 3% eksportojnë nëpër tregjet evropiane.

Shkak për këtë janë mundësitë e kufizuara, si financiare ashtu edhe teknike dhe kadrovike, mundësitë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që i kushtëzojnë këto kompani të kenë aftësi të kufizuar apo thuajse zero, për atë që nevojitet për të depërtuar në ndonjë treg të huaj – theksoi Tatjana Shterjova nga Oda ekonomike

Sipas Odës, pjesëmarrja e eksportit në PBV duhet të rritet prej 50 në 75% ndërsa potencial më të madh shohin në industrinë e ushqimit dhe metalit si dhe në farmaci. Në Maqedoni, vetëm 3500 kompani janë eksportuese ndërsa 81% prej tyre janë mikro dhe të vogla. Vitin e shkuar Maqedonia realizoi eksport mbi 5 miliardë euro, që është rritja më e madhe në 10 vitet e fundit. Më shumë eksportojnë kompanitë e mëdha nga zonat e lira ekonomike.

Aleksandra Spasevska

 

Loading...

Shpërndaj me