Të hënën pritet të fillojë procedura e bartjes së të punësuarve nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim në Agjencinë për Siguri Kombëtare. Siç mëson Alsat nga burimet e tij, deri të premten, të punësuarit në DSK që pretendojnë të kalojnë në Agjencinë e re duhet të përmbushin disa kushte, përveç atij që të jenë të punësuar të DSK-së duhet të mos jenë anëtarë partiak, të mos kenë shtetësi të dyfishtë dhe të mos ketë konflikt interesi partiak ose biznesor. Megjithatë, Agjencia akoma nuk posedon akt sistematizimi prandaj dhe nuk dihet mbi cilat kritere do të bëhet shpërndarja e kuadrit të ri. Të punësuarit e DSK-së për të kaluar në ASK duhet të japin pëlqim që do t’i nënshtrohen vullnetit të institucionit për testin e poligrafit, kontrollit për certifikatë sigurie dhe testit të integritetit. Ndërkohë akoma nuk ka njohuri se cila agjenci do ta bëjë testin e integritetit duke qenë se nuk ka pasur as procedurë për tender për zgjedhjen e saj.  Për profesorin Bashkim Selmani angazhimi i kuadrit pa akt sistematizimi paraqet procedurë jo të rregullt.

Me hapjen e këtij konkursi pa një akt të sistematizimit juridiko-administrative në bazë të veprimit, le dyshime për mënyrën e hapësirës së keqpërdorimeve sa i përket vlefshmërisë individuale, sa këto njerëz kanë vepruar në mënyrë të drejtë ose jo dhe të barten në ASK. Unë besoj që bartja kolektive pa dhënë llogari se çfarë veprimesh bënë dhe si u soll Maqedonia të jetë buzë greminës dhe si kapituloj sistemi i sigurisë, hap dilema edhe për në të ardhmen- deklaroi profesori Bashkim Selmani.

Përfaqësimi i drejtë etnik garantohet me ligjin për Agjencinë për Siguri Kombëtare mirëpo mungesa e aktit të sistematizimit nuk është garanci për përfaqësim të drejtë etnik në pozita drejtuese. Aktualisht në DSK vetëm pesë të punësuar janë në pozita drejtuese. Shpallja ku njoftohet bartja e të punësuarve nuk ka kritere për arsimimin e të kandidatëve dhe as mënyrën se si do të rangohen sipas pikëve. Shpallja nuk përmban as dispozita ku nuk lejohet nepotizmi, ose punësimi i kandidatëve me lidhje të ngushta familjare, gjë e cila është shumë prezente aktualisht në DSK. Për profesorin Bashkim Selmani, në Agjencinë e re duhet t’u jepet mundësi punësimi edhe kuadrove të jashtme.

Nepotizmi si nocion nuk është veprimtari e cila mund të kuptohet ndryshe nga sistemi por është edhe një problem si nepotizmi partiak, ta quajmë. Në këtë rast ka dy dilema, e para ka të bëjë me konkursin e kufizuar vetëm për ata të punësuar dhe është edhe elementi tjetër që drejtpërdrejtë i kufizon studiuesit e ri që kanë mbaruar këto drejtime- theksoi Bashkim Selmani.

Nga rreth gjithsej 650 të punësuar në DSK, në filtrat e bartjes pritet të kalojnë rreth 400. Pjesa e mbetur do të shpërndahen në Ministrinë e Punëve të Brendshme ose institucione të tjera. Përveç aktit të sistematizimit, përpara shpalljes për bartjen e të punësuarve duhet të kishte përfunduar edhe procedura për zgjedhjen e zëvendës drejtorit të Agjencisë për Siguri Kombëtare, për të cilën nuk ka aspak informacione se ku ka ngecur ose çfarë e pengon. Zv.drejtorin e propozon drejtori Viktor Dimovski por e zgjedh qeveria kurse kushtet i plotësojnë vetëm tre shqiptarë. Kompletimi i kuadrit të ASK-së, sipas ligjit duhet të përfundojë e shumta më 20 gusht kurse Agjencia zyrtarisht fillon me punë më 1 shtator. Atëherë pushon së ekzistuari Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim dhe mandati i drejtorit të saj.

Fatlume Dervishi

Loading...

Shpërndaj me

Loading...