Drejtuesit e FC Shkupi të martën pasdite kanë marrë një vendim të befasishëm duke shkarkuar trajnerin Ardian Nuhiu. Vendimi duket i habitur pasi Shkupi ka vetëm një humbje në sezonin pranveror dhe atë nga Shkëndija. Cairasit kanë fituar gjashtë pikë në sezonin e dytë, dhe nuk kanë të luajtur asnjë ndeshje në teren të vet. Nuhiu skuadrën e Shkupit e drejton nga viti 2016. Aktualisht gjenden në vendin e katër në Ligën e parë me 29 pikë nga 23 ndeshje. Në vazhdim të kampionatit ekipin do ta udhëheqin ndihmësit e Nuhiut, Jonuz dhe Abdi.

Pas vendimit të papritur për shkarkim, trajneri Ardian Nuhiu ka shkruar një letër përshëndetëse të cilën ua sjellim në vazhdim të plotë dhe pa ndërhyrje:

Ëndrra ime e një futbollisti kishte filluar shumë herët, e që më vonë të nisë dhe të formohet pikërisht në klubin që deri dje isha futbollist, e që sot edhe kam luajtur rolin e trajnerit, është vërtetë dashuri e parë që do të jetojë përjetësisht në mua.

Fillimisht sot kur më duhet të bëjë një shkëputje vetëm në aspektin profesional me klubin tim të zemrës, FC Shkupi do të dua të falënderojë ata të cilët më kishin besuar këtë post, ata të cilët më dhanë një detyrë që për mua ishte një gacë e nxehtë që po merrja në dorë, pasi që të udhëheqësh me një klub me traditë 90 vjeçare, që pas vete ka tri tituj kampion dhe dy herë fitues të Kupës së Maqedonisë, është sfidë edhe për trajnerët që kanë përvojë të madhe pas vete. Por unë erdha kur ishte skuadra në ditët më të vështira. Gjithsesi edhe sot u jam mirënjohës atyre që kishin guximin që unë të jem ai që do të punoj me ekipin që tani po e lë në pozitën e katërt dhe mbetet me ambicie që pas shumë viteve të kthehet në garat për kualifikim të mundshëm në Evropë.

Emrat janë të shumtë që do të duhej të përmend, por thjesht të gjithë kanë merita në avancimin tim, në sukseset që kemi arritur, në gëzimet që kemi ndarë së bashku, ndërsa për çdo dështim eventual unë që në fillim kisha thënë, se faji do të bie mbi shpinën time.

Dëshiroj të falënderoj të gjithë futbollistët, të cilët në mënyrë shumë profesionale kanë kryer obligimet dhe detyrat e dhëna, pasi secila ndeshje për ta ishte dhe vazhdon të mbetet finale e madhe.

U jam mirënjohës edhe tifozerisë, që me apo pa të drejtë kanë pritur që secilën ndeshje të dalim fitues, por sigurisht se mbështetja e tyre që më kanë dhënë më ka bërë edhe më të fortë.

Është një përvojë që me ka pasuruar në aspektin profesional dhe atë njerëzor, por mbi të gjitha jeni ju që më keni bërë të ndjehem i plotë me përkushtimin dhe përfshirjen tuaj në sfidat që kishim para vete.

Faleminderit të gjithë bashkëpunëtorëve të mi, për ata që ishin pranë meje në pankinë, por edhe ata që më mbështetën jashtë saj.

Falënderim dua të dërgoj edhe deri te gazetaret dhe të gjitha mediat me të cilët kam pasur një komunikim korrekt dhe transparent.

Gjithçka në jetë ka një fillim por edhe mbarim dhe për mua ka përfunduar vetëm cikli si trajner i FC Shkupi, por asgjë nuk mund të ndajë lidhjen e forte që kam me këtë klub, këta futbollist, këtë tifozeri dhe me njerëzit që më dhanë mundësinë për të pasur një përvojë të këtillë.

Shkupi është skuadër e madhe, fara është hedhur, duhet pritur që ajo të rritet, që me angazhim, përkujdesje dhe punë, duke e ndihmuar të gjithë, fruta do të jetë e shkëlqyer.

Shpërndaj me