Izraeli është fituesi i festivalit të këngës evropiane Eurovision 2018. Këngëtarja Netta, me këngën “TOY” triumfoi në mbrëmjen spektakolare. Ndërkohë, ky do të mbahet mend edhe si Eurovizioni i 3 shqiptarëve.

Eugent Bushpepa, i cili përfaqësonte Shqipërinë në këtë festival, u rendit në vendin e 11. Me votat e jurisë, Bushpepa u rendit në vendin e 7, ndërsa pas votimit të publikut, kënga “Mall” u rendit në vendin e 11, me 184 pikë në total.

Dy shqiptarët e tjerë, Eleni Fureira dhe Ermal Meta zunë vendin e dytë dhe të pestë. Shqiptarja që përfaqësonte Qipron, e cila nga parashikimet e mëhershme u cilësua edhe si fituese e mundshme, u rendit pas izralites Neta Barzilai, me 436 pikë.

Ndërkohë, Ermal Meta, fituesi i San Remos, pas një performance me Fabrizio Moron, arriti të klasifikohej në vendin e pestë, me 308 pikë.

Eugent Bushpepa me këngën e tij “Mall” dhuroi emocione pafund me interpretimin e tij fantastik dhe vokalin e veçantë. Gjatë televotimit, kënga që përfaqësonte Shqipërinë në Eurovizion mori pikët maksimale nga Azerbajxhani, ndërsa Shqipëria votoi me pikët maksimale këngën e Ermal Metës.

Por këtë vit në natën finale ndodhi dhe një incident i rrallë. Këngëtarja britanike u ndërpre gjatë performancës së saj “live” nga një burrë që u ngjit në skenë dhe i mori mikrofonin nga dora. Pasi mori mikrofonin, ai bërtiti: “Për nazistët e mediave britanike, ne duam liri”.

Shpërndaj me