Ministri italian për Çështjet Europiane, Paolo Savona, të cilit iu refuzua portofoli i Financave nga ana e presidentit italian për shkak të euroskepticizmit, pohoi sot se nuk kishte një plan B për të nxjerrë vendin nga eurozona.

”Si duhet ta them ? Nuk ka plan B, nuk kam kërkuar kurrë daljen nga euro”, u shpreh ai gjatë një takimi me shtypin e huaj në Romë.

”Çfarë dëshironi më shumë? Sa herë duhet ta përsëris? Dikush me shumë gjasa do të përpiqet të presë ‘jo-në time dhe fjalë të tjera. Është ‘jo’, kështu është. Është e qartë? Pozicioni im është i qartë”, ironizoi ai.

Në librin e tij të fundit, i paraqitur të martën për shtypin e huaj, Savona shprehej se ishte e nevojshme përgatitja e një plani B për daljen nga euro nëse do të ishte i detyruar, në një mënyrë apo në një tjetër.

Ky ekonomist i njohur, 81 vjeç, dhe ish-ministër i Industrisë në vitet ’90 mohoi çdo lloj armiqësie kundër Gjermanisë, por shprehu të drejtën e tij për ta kritikuar.

« Gjermania është një shtet i madh në pikëpamje të shumta, kulturore, politike dhe ekonomike », siguroi ai, duke shtuar se kishte të drejtë të kritikonte disa pozicione të marra nga ky shtet, por kjo është një kritikë që kërkon të jetë konstruktive, për të përmirësuar Europën, pasi e cilësoi euron si «burg gjerman» në librin e tij të fundit.

«Gjermania nuk ka ndryshuar pikëpamje në lidhje me rolin e saj në Europë pas përfundimit të nazizmit, duke e braktisur idenë e imponimit ushtarak”, shkruan ai në këtë mënyrë në këtë libër me titull ”Si një makth dhe si një ëndërr”.

Kritikat e tij në drejtim të euros dhe Gjermanisë e çuan në fund të majit në vënien e vetos spektakolare të presidentit italian, Sergio Mattarella, pas propozimit të Ligës (ekstremi i djathtë) dhe Lëvizjes 5 Yjet (L5Y, antisistem) për ta emëruar në postin e ministrit të Financave.

Shpërndaj me