Kombet e Bashkuara i kanë kërkuar Teheranit të frenojë përdorimin forcës kundër demonstruesve dhe të rivendosë shërbimin e internetit.

Vendi është përfshirë nga protestat, të nxitura nga një rritje e çmimeve të benzinës, që kanë lënë dhjetra njerëz të vdekur.

Duke folur para gazetarëve në Gjenevë, më 19 nëntor, zëdhënësi për të drejtat e njeriut i Kombeve të Bashkuara, Rupert Colville, shprehu shqetësim të thellë për përdorimin e municionit nga ana e Iranit gjatë përleshjeve me protestuesit dhe e quajti rritjen e numrit të viktimave si “shumë serioze”.

Zyrtarët iranianë kanë raportuar për vdekjen e 12 protestuesve dhe pjesëtarëve të forcave të sigurisë së Iranit.

Ata kanë thënë se më shumë se 600 njerëz janë arrestuar që nga nisja e protestave, më 15 nëntor, pasi qeveria njoftoi se ishte duke kufizuar blerjen e benzinës dhe shkurtimin e subvencioneve.

Sidoqoftë, Colville citoi raporte që tregonin se dhjetra njerëz janë vrarë.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj Iranit, menjëherë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tërhoqi në mënyrë të njëanshme SHBA-në, nga një marrëveshje bërthamore e vitit 2015.

Më parë, zëdhënësi i gjyqësorit në Iran, Gholamhossein Esmaili tha se “qetësia është rikthyer në vend”. Por, situata mbetet e paqartë kryesisht për shkak se autoritetet e ndaluan qasjen në internet.

Brian Hook, i dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Iranin, i tha Shërbimit iranian të Radios Evropa e Lirë, se Shtetet e Bashkuara po punojnë për të ndihmuar iranianët të anashkalojnë ndërprerjen e Internetit, që ka kufizuar postimin e videove dhe komunikimin ne rrjete sociale.

“Ne mendojmë se do të ndihmojmë disa njerëz të lidhen me internet në mënyrë që ata të mund të vazhdojnë të postojnë videot e tyre [të protestave]”, tha Hook.

Në 18 nëntor, agjencitë e lajmeve gjysmë-zyrtare iraniane ISNA dhe Fars raportuan se tre anëtarë të forcave të sigurisë u qëlluan për vdekje nga protestuesit afër Teheranit.

Sipas raportimeve, në mesin e të vrarëve është një komandant i Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe dy anëtarë të forcës paraushtarake të Basij.

Ndërkohë, gazeta e linjës së ashpër “Keyhan” raportoi se organet e gjyqësorit po konsiderojnë “ekzekutimin me varje të udhëheqësve të trazirave “.

IRGC ka paralajmëruar protestuesit për veprime “të vendosura” nëse trazirat nuk pushojnë, ndërsa Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i quajti demonstruesit “banditë” dhe për trazirat fajësoi armiqtë e huaj të Iranit, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Shtëpia e Bardhë e ka dënuar “përdorimin e forcës vdekjeprurëse dhe kufizimet e komunikimit të përdorura kundër demonstruesve” dhe tha se ajo mbështet “popullin iranian në protestat e tyre paqësore”.

Një zëdhënëse e kancelares gjermane, Angela Merkel, i quajti protestat “të ligjshme”.

Irani, është vendi i katërt me rezervat e naftës së papërpunuar në botë dhe mban ende disa nga çmimet më të ulëta të karburantit, të mundësuara nga subvencionet qeveritare.

Çmimet e benzinës me vendimin e ri rriten për 50 për qind.

Loading...

Shpërndaj me

Loading...