Mbështetje për referendumin por koordinim dhe veprim para ndryshimeve kushtetuese, sugjerojnë intelektualët nga Shqipëria për faktorin politik shqiptar në Maqedoni. Sipas ish kryediplomatit shqiptar Paskal Milo, shqiptarët duhet të krijojnë një platëformë me kërkesa për pozitën e tyre me të cilën do të kushtëzojnë ndryshimet kushtetuese për emrin. Megjithatë ai kërkon që në këtë fazë, çështja të mos shikohet nga plani nacional dhe as politik.

Çështja nuk duhet të bisedohet dhe as të gjykohet në një plan të ngushtë nacional, thjeshtë nacional, dhe as në plan të ngushtë politik, por është momenti për të reflektuar dhe për të parë më gjerë se referendumi dhe rrjedhojat që do të vinë pas referendumit me integrimin e vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian i kalojnë interesat e ngushta të partive dhe interesat e ngushta të një komuniteti shumicë siç janë maqedonasit në Maqedoni- deklaroi Paskal Milo, ish ministër i Jashtëm i Shqipërisë.

Ndër kushtet e para, sipas ish zv.ministres së jashtme shqiptare, Edit Harxhi, duhet të jetë ligji i gjuhëve.

Faktori shqiptar në Maqedoni apo edhe faktori politik dhe ai i shoqërisë civile shqiptare të qëndrojë shumë fortë në idenë që të dy ndryshimet kushtetuese, si ajo për emrin, ashtu edhe për zyrtarizimin e gjuhës shqipe duhet të kalojnë menjëherë dhe në të njëjtën kohë. Në qoftë se kjo nuk bëhet dhe do të mbetet pas kalimit të referendumit dhe pas ndryshimeve kushtetuese për emrin, atëherë kam frikë që kjo do të mbetet- pohoi Edit Harxhi, ish zv.ministre e Jashtme e Shqipërisë.

Profesori Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve politike thotë se vota “për” aktualisht është në interes të faktorit shqiptarë por pozita e tyre në këtë vend akoma nuk është rregulluar.

I gjithë ky lloj apeli ka rëndësinë e tij por pas referendumit pozita e shqiptarëve në Maqedoni rregullohet me perëndimin, ka një perspektivë të qartë atlantike por nuk është zgjidhur në thelbin e problematikave që ka pasur Marrëveshja e Ohrit dhe një sërë detyrimesh të tjera ndërkombëtare të Maqedonisë. Deri diku është koha që elitat tona atje të reflektojnë për të kuptuar se çfarë është bërë gabim për të gjetur një farë agjende për të rregulluar shumë prej gjërave që mund të bëheshin – tha Afrim Krasniqi, Instituti i Studimeve Politike në Shqipëri.

Akademiku Beqir Meta vlerëson se paralelisht me ndryshimet e planifikuara kushtetuese, vendi duhet të kalojë në Republikë Federale.

Të paktën shqiptarët duhet të kishin bërë përpjekje që kjo Republikë e Maqedonisë së Veriut të emërohet Republika Federale e Maqedonisë së Veriut, duhet luftuar për këtë në këtë kohë. Nëse kjo nuk arrihet tani, sigurisht ky propozim duhet të mbetet në aktet e bisedimeve të mëtejme me qëllim që në procesin e mëtejshëm të vazhdojë kjo përpjekje. Meqenëse po e marrim si të mirëqenë faktin se nuk ka ndryshime kufijsh në Ballkan, meqenëse ky shtet do të jetë i përhershëm dhe stabël, atëherë të paktën ky shtet të funksionojë mbi bazë federale dhe sipas modeleve të mira evropiane- pohoi akademiku Beqir Meta.

Pothuajse të gjithë intelektualët panelistë në Tiranë ishin të mendimit se Tirana zyrtare ka qenë thuajse e pazëshme rreth procesit të referendumit në Maqedoni dhe veçanërisht rreth rolit të faktorit shqiptarë dhe identitetit shqiptarë atje.”

Konferenca me titull “Referendumi dhe identiteti shqiptarë në Maqedoni” në Tiranë, u organizua nga Qendra për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Ballkanike.

Fatlume Dervishi 

Loading...

Shpërndaj me

Loading...