Shkalla e lartë e ekonomisë gri deri në 45 për qind, korrupsioni, shpenzimi jo transparent i parave të buxhetit, nepotizmi. Këto janë kritikat kryesore për Maqedoninë e Veriut të hasura në raportin e Fondacionit amerikan “Heritixh”. Raporti thotë se ekonomia vendore është e kërcënuar nga një krizë e brendshme politike. Maqedonia e Veriut renditet e 33-ta në botë sipas lirive ekonomike. Shpenzimi i parave publike, sundimi i ligjit dhe hapja e tregut janë segmentet kryesore në të cilat vendet renditen për liritë ekonomike që i kanë bizneset dhe qytetarët e atij vendi.

Ekziston kornizë ligjore, por problemi është zbatimi që minon besimin e opinionit se ekziston gatishmëri për të ndjekur penalisht zyrtarët e korruptuar. Qeveria ka miratuar disa masa antikorrupsion, por edhe më tej ka ndërhyrje politike, nepotizëm dhe gjykime të zvarritura – thonë nga Fondacioni “Heritixh”.

Nga Fondacioni thonë se Maqedonia e Veriut ka nevojë për reforma strukturore, trajtimin e korrupsionit dhe administratën e stërngarkuar. Por, kryeministri Zoran Zaev nuk pajtohet që shkalla e ekonomisë gri është kaq e lartë. Sipas tij, në vend të 45%, ekonomia joformale është deri në 30%. Përveç kësaj, Zaev pretendon se projektet qeveritare për të luftuar punën në të zezë japin rezultate.

Pjesa më e madhe e politikave në ekonomi dhe në pjesën e sundimit të ligjit kanë të bëjnë me heqjen e ekonomisë gri, paratë e paligjshme, ryshfetin e parave, zhvatjet ose gjëra të ngjashme në shoqëri. Unë besoj se kjo do të ishte mirë edhe për shtetin por edhe për ekonominë – u shpreh Zoran Zaev, Kryeministër.

Në këtë listë vendi ka renditje më të mirë se vendet e rajonit. Më e afërta është Bullgaria në vendin e 37, Kosova në vendin 51, Shqipëria në 52, Serbia në 69 dhe Greqia në 106. Liritë më të mëdha ekonomike në botë janë në Hong Kong, Singapor dhe Zelandën e Re, dhe më të ulëta në Kubë, Venezuelë dhe Korenë e Veriut.

Ile Petrevski

Loading...

Shpërndaj me

Loading...