Qeveria e Maqedonisë ka kërkuar nga “Helenik Petroleum” ta ulë për 9 milionë dollarë shumën që kompania greke e kërkon nga vendi për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes së shitblerjes për OKTA-n. Me normat e interesit dhe shpenzimet e tjera, lartësia e padisë që Helenik kërkon ka arritur në 40 milionë dollarë. Kërkesa e këtillë nga pala maqedonase është për shkak se edhe kompania greke nuk e ka respektuar në tërësi marrëveshjen për blerjen e rafinerisë. Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i cili për momentin zhvillon bisedimet pas largimit të Koço Angjushevit nga Qeveria, për Alsat konfirmoi që ka pasur takim, por pa zbuluar detaje.

Jam i bindur që me argumente dhe bisedime mund të gjejmë zgjidhje që do të jetë situatë fituese edhe për ne, por kuptohet edhe për investitorin – deklaroi Kreshnik Bekteshi- ministër i ekonomisë.

Helenik e padit Qeverinë për mos blerje të 500,000 tonë mazut në vit, siç parashikohet në kontratë. Megjithatë, një pjesë e motivit për padinë është se qeveria maqedonase, në kundërshtim me Marrëveshjen e Prespës, nuk dëshiron të zgjidhë problemin e naftësjellësit Selanik-Shkup. Ky naftësjellës nuk funksionon sepse qeveria nuk jep leje. Bekteshi, edhe krahas analizës së përfunduar, nuk zbuloi nëse ka leverdi ekonomike për këtë naftësjellës. Ndryshe nga kjo, nga kompania greke thonë se përmes naftësjellësit Maqedonia do të jetë një qendër rajonale për derivate.

Ky është pretendimi i tyre i vjetër. Ne i bëjmë analizat tona, jo vetëm për ndikimin e drejtpërdrejtë që ka gazsjellësi. Nuk bëhet fjalë vetëm për naftën e papërpunuar, por kërkesa e tyre është që përmes naftësjellësit të bartin naftë për përdorim më të gjerë – tha Kreshnik Bekteshi – ministër i ekonomisë.

Alsat kërkoi qëndrim nga kompania greke Helenik Petroleum, por na thanë që përgjigje do të marrim deri në fund të javës. Alsat mëson se një seancë e re është caktuar për 24 korrik në Gjykatën e Arbitrazhit në Paris. Aktvendimi final sipas planit duhet të miratohet këtë vjeshtë. Ndërmarrja Greke po kërkon t’i paguhen 40 milion dollarë sepse qeveria maqedonase nuk bleu 500,000 ton mazut në vit nga viti 2008 deri në vitin 2011, siç parashikohet në kontratën e vitit 1999.

Ile Petrevski

Loading...

Shpërndaj me

Loading...