Kompania greke Helenik Petroleum aktivizoi padinë para Gjykatës së Arbitrazhit në Paris për pagesën e 31 milionë dollarëve plus normat e interesit sepse Maqedonia nuk e respektoi marrëveshjen e shitblerjes për rafinerinë OKTA. Firma greke kërkon që paratë të paguhen për shkak se Qeveria nga viti 2008 deri në vitin 2011 nuk ka blerë 500.000 ton mazut në vit, siç parashikohej në marrëveshjen e vitit 1999. Shuma përfundimtare e pagesës që vendi duhet t’i bëjë Helenik Petroleumit do të dihet pas vendimit që pritet të merret shpejt. Sipas informacionit, shuma mund të rritet për dhjetëra milionë dollarë për shkak të normës së interesit. Për këtë problem kërkuam qëndrim nga Ministria e Ekonomisë dhe zëvendës-kryeministrit për Çështje Ekonomike Koço Angjushev. Nga atje, për Alsat dhanë përgjigjen në vijim:

Qeveria nuk komenton procedurat e arbitrazhit për shkak të ndjeshmërisë së procesit. Për të gjitha informacionet e reja, publiku do të informohet në kohën e duhur- thanë nga Qeveria.

Kjo është padia e dytë e tillë përpara gjykatës së Parisit. Të parën Maqedonia e humbi dhe u pagoi grekëve 40 milion dollarë edhe pse vendimi ishte për një pagesë prej 86 milion. Kontrata e dëmshme për shitjen e rafinerisë së Shkupit, kompanisë greke Helenik ishte e vlefshme deri në maj të vitit 2019, me të cilën përveç dispozitës për blerjen e mazutit, vlente dhe metodologjia për vendosjen e çmimit të derivateve të naftës, që përmbante një numër të madh përfitimesh për palën greke. Rafineria e Shkupit e cila tani quhet OKTA nuk punon që nga viti 2011, nga kur aktiviteti kryesor është vetëm tregtia me derivatet e naftës dhe aktualisht mban 70 dhe  80 për qind të tregut me këto prodhime.

Ile Petrevski 

 

Loading...

Shpërndaj me

Loading...