NATO është e vendosur të mbrojë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe nuk e vë në pikëpyetje misionin e saj për paqe në Kosovë. Ndërsa Kosova e merr vendimin për transformimin e FSK-s në Forca të Armatosura të Kosovës edhe me kushtin që ndokush kurrë nuk do të pajtohet me këtë vendim.

Kështu ka deklaruar kryeministri Ramush Haradinaj, në një konferencë për media të mbajtur menjëherë pas mbledhjes së Qeverisë, ku ka dhënë detaje para ministrave të tij se çfarë ka biseduar me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, pas deklarimeve të këtij të fundit se nuk është koha e duhur për formimin e ushtrisë.

Ai tha se nga Stoltenberg nuk ka marrë deklarata nëse është ‘pro’ ose ‘kundër’ lidhur me shndërrimin e mandatit të FSK-s, por  la të kuptohet se megjithatë kishte marrë një mesazh, për atë se mund të pasojë shqyrtimi i raporteve të NATO-s me FSK-në, në një rast të tillë.

Ndërkohë që ende nuk dihet se kur do të vazhdojë dialogu me Serbinë, pas masës prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, kryeministri Haradinaj shprehu besimin se Kuvendi i Kosovës së shpejti do të votojë delegacionin për bisedime në Bruksel.

I pari i Qeverisë nuk ka lënë pa përmendur edhe deklaratat e Serbisë se FSK po përgatitet për në veri, ku ka thënë se  kjo nuk është e vërtetë. Teksa shtoi se do të shkojë në çdo vend të Kosovës, për t’iu treguar serbëve që jetojnë në vend, se asnjëherë nuk kanë se për çka të frikësohen pasi që Serbia vetëm po i përdorë ata për viktimizim.

Kreu i ekzekutivit është kundërpërgjigjur ndaj deklarimeve të zyrtarëve të lartë serbë se Kosova ka luftëtarë në konfliktet në Siri. Ku ka përsëritur se një gjë e tillë nuk është e vërtetë, duke thënë se Kosova është prej vendeve të rralla në botë që ka një ligj të dedikuar kundër pjesëmarrjes së shtetasve të vet në luftëra të huaja dhe i ndjek penalisht. Teksa shtoi se Serbia ende i ka në lista të pagesave, mercenarët që luftojnë në Ukrainë dhe në Siri, kundër perëndimit dhe paqes.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka miratuar sot kërkesën e Ministrisë së Infrastrukturës për autorizim lidhur me aprovimin e Deklaratës së Përbashkët për Strategji të re hekurudhore në Ballkanin Perëndimor, projekt-rregulloren për Autorizim, rregulloren për përmbajtjen dhe mënyrën e menaxhimit të regjistrit të rregullave teknike. Në mbledhjen e sotme, Qeveria autorizoi ministrin e Financave për nënshkrimin e marrëveshjes financiare për projektin për kadastër të patundshmërisë dhe infrastrukturës gjeohapësinore me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim, si dhe ka miratuar “Protokollin shtesë numër 6 për Marrëveshjen për ndryshimin dhe pranimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë të Evropës Qendrore.

Ndërsa kryeministri Haradinaj ka njoftuar kabinetin qeveritar edhe për pritjen shtetërore që do të organizohet më 14 dhjetor pas kalimit të Projektligjeve që ndërlidhen me transformimin e FSK-s.

Loading...

Shpërndaj me