Greta Thunberg, aktivistja 17-vjeçare nga Suedia, nxiti të rinjtë të qëndrojnë në shtëpi pasi njoftoi se me shumë mundësi ishte infektuar nga Covid-19.

Në një postim në Instagram, Thunberg tha se ndihej më mirë pasi u izolua për dy javë. Dhjetë ditë më parë, Thunberg përjetoi disa simptoma të Covid-19: lodhje, ethe, fyt i gërvishur dhe kollë. Babai i saj, që udhëtoi me të në Bruksel më parë, përjetoi simptoma më të forta dhe pati temperaturë.

Thunberg tha se nuk u testua për Covid-19 pasi nuk kishte nevojë për pëkujdesje urgjente mjekësore.

“Nuk jam testuar për Covid-19, por me shumë mundësi e kalova duke marrë parasysh kombinimin e simptomave dhe rrethanave,” shkruan ajo.

Adoleshentja i nxiti të rinjtë të qëndrojnë në shtëpi edhe nëse kanë simptoma të lehta ose asnjë simptomë pasi mund t’ua kalojnë virusin të tjerëve që janë më të rrezikuar.

“Kjo është më e rëndësishmja: Nuk më dukej sikur isha sëmurë,” tha Thunberg. “Hera e fundit që u ftoha ishte shumë herë më keq se kaq.”

17-vjeçarja nuk do të kishte dyshuar fare në rast se i ati s’do të ishte sëmurë.

“Dhe kjo e bën më të rrezikshme,” shkruan ajo. “Shumë njerëz (dhe sidomos të rinjtë) mund të mos kenë fare simptoma, ose simptoma të lehta. S’e dinë që janë mbartës dhe ua kalojnë virusin njerëzve të rrezikuar. Ne që jemi më pak të rrezikuar kemi një përgjegjësi të madhe mbi shpatulla, veprimet tona kanë rëndësi jetë a vdekjeje për të tjerët.”

Ajo i këshilloi njerëzit të “sheshojnë kurbën” dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale dhe ekspertëve mjekësorë.

Fjalët e aktivistes janë në të njëjtën linjë me paralajmërimin e kreut të OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili së fundi iu drejtuar të rinjve:

“Nuk jeni të pamposhtur.Virusi mund t’ju çojë në spital dhe mund t’ju marrë jetën. Edhe nëse nuk sëmureni, zgjedhjet që bëni, vendet ku shkoni, mund t’i marrin jetën dikujt tjetër,” tha ai. “Jam shumë mirënjohës për të rinjtë që ndërgjegjësojnë publikun. Siç e kam thënë, solidariteti është arma më e fortë kundër Covid-19.”

Loading...

Shpërndaj me

Loading...