Përfundimi i kontratës mes Qeverisë dhe Makpetrolit për pronësinë e kompanisë së shpërndarjes së gazit natyror, GA-MA, do të bëhet përmes një zgjidhjeje ligjore. Atë do të duhet ta miratojë përbërja e re parlamentare. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, për Alsat thotë se teksti i ligjit është gati dhe do të dërgohet së shpejti në Parlament.

Fondet tashmë janë siguruar, ato janë në ENER dhe pas formimit të Kuvendit të ri, një nga vendimet e para që do të duhet të merret do të jetë marrëveshja me Makpetrolin – tha Kreshnik Bektashi – Ministër i Ekonomisë.

Drejtori i Ndërmarrjes Shtetërore të Burimeve Nacionale të Energjetikës, BNE, në një intervistë për Magazinën Ekonomike që transmetohet në Alsat, konfirmoi se paratë e buxhetit të shtetit prej 31 milion eurosh të vitit të kaluar të alokuara për blerjen e aksioneve të GA-MA-s tani në pronësi të Makpetrol janë transferuar dhe janë duke pritur në llogarinë e kësaj ndërmarrje shtetërore. Do të jetë shumë tragjike, thotë drejtori Rexhepi, nëse kjo marrëveshje nuk zbatohet deri në fund të vitit. Atëherë mund të ketë edhe përllogaritje të dëmeve.

Nga kompania Makpetrol, e cila zotëron 50% të GA-MA-s, për Alsat thonë se ndërmjetësimi kishte përfunduar me sukses. Mosmarrëveshja është zgjidhur dhe tani pritet veprimi i Qeverisë.

Ne si Makpetrol kemi marrë të gjitha vendimet e duhura dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë me nënshkrimin e marrëveshjes që do të zgjidhë çështjen me GA-MA-n. Me këtë do ta respektojmë plotësisht ligjin dhe rekomandimet e Paketës së Tretë të Energjetikës – thonë nga Makpetrol.

Sistemi i gazsjellësit GA-MA të jetë në pronësi të plotë të shtetit është gjithashtu edhe pjesë e Ligjit për Energjetikë, por edhe rekomandim i Bashkësisë Evropiane të Energjetikës. Plani është që pasi të nënshkruhet një marrëveshje midis qeverisë dhe Makpetrol, ndërmarrja Burimet Nacionale të Energjetikës do të marrë licencat e shpërndarjes së gazit. Qeveria njoftoi të premten se është shpallur thirrje publike për zgjedhjen e një partneriteti publiko-privat që do të ndërtojë, operojë, mirëmbajë dhe financojë një sistem sekondar të shpërndarjes së gazit natyror që duhet të jetë gati për katër vjet.

Ile Petrevski

Loading...

Shpërndaj me

Loading...