Edhe pse para pesë viteve u paralajmërua se Çairi do të jetë komuna e parë në Shkup e cila do të gazifikohet tërësisht, ende nuk dihet kur gazi do të arrijë deri tek amvisëritë. Për momentin, këtë lëndë të parë do ta shfrytëzojnë vetëm komuna, një shkollë dhe një çerdhe. Kryetari Visar Ganiu nuk e din për sa kohë pritet gazifikimi i tërësishëm i Çairit pasi kjo nuk varet vetëm nga komuna. Kanë kërkuar informacion nga Qeveria se si ndërtohet rrjeti sekondar në komunë, me partneritet privat apo me ndonjë institucion tjetër.

Mendoj se këtë vit të paktën që mund ta bëjmë është që ta kemi gati dokumentacionin teknik, që në vitin e ardhshëm me gaz t’i furnizojmë edhe amvisëritë”-tha Visar Ganiu, kryetar i komunës Çair.

Kryetari Ganiu nuk sheh shkelje të fushatës zgjedhore me atë që komuna ka vendosur pikërisht sot, një ditë para heshtjes zgjedhore të firmoset marrëveshja me kompaninë “Ga- Ma” për kyçje në gaz të godinës administrative të komunës, çerdhes “Borëbardha” dhe shkollës fillore “Ismail Qemali”. Shton se projekti në fjalë nuk lidhet me zgjedhjet ndërsa projekti është paralajmëruar që moti.

Nuk besoj që paraqet shkelje, ne këtë e kemi paralajmëruar që moti, por sot është momenti për ta nënshkruar, kjo është lokale për ne dhe nuk duhet të ndikojë ndaj zgjedhjeve presidenciale”-pohoi Visar Ganiu, kryetar i komunës Çair.

Sipas drejtorit ekzekutiv të kompanisë “Ga- Ma”, Ratko Manov më shumë se një dekadë po bëhen përpjekje të pasuksesshme që të ndërtohet rrjet sekondar shpërndarës për gaz në Shkup. Pret që ky projekt të aktivizohet në të ardhmen ndërsa Qeveria të ndihmojë në realizimin e tij. Për momentin, gazsjellësi shfrytëzohet me vetëm 32%. Lidhur me zgjidhjen e kontestit mes Qeverisë dhe “Makpetrolit” për pronësinë e kompanisë “Ga-Ma”, drejtori Manov shprehet se të dyja palët janë ulur në tavolinë për të zgjidhur problemin që po zvarritet tashmë 10 vite. Por, nuk tregoi nëse do të ketë epilog. “Makpetroli” dhe Qeveria më shumë se 13 vite zhvillojnë procedurë gjyqësore për pronësinë e kompanisë “Ga- Ma”. Para dy muajve, “Makpetrol” kërkoi në mënyrë jashtë- gjyqësore të dyja palët të merren vesh që të mbajnë në pronësi nga 50% të kësaj kompanie. Për këtë kërkesë, Qeveria pret informacion nga zyra e avokatit të shtetit.

Aleksandra Spasevska

Loading...

Shpërndaj me

Loading...