Gjyqtarja revolucionare Stefani Frapar braktisi futbollin në moshën 18-vjeçare, pasi ra në dashuri me rregullat e lojës. Arbitrja, e cila gjykoi finalen e Botërorit të femrave këtë vit, konsiderohet gjyqtarja më e mirë femër në planet. Dhe sot pionierja do të jetë arbitrja e parë femër që do të gjykojë finalen e Superkupës së Europës mes Liverpulit dhe Çelsit në Stamboll. Kryeshefi i arbitrave në UEFA, Roberto Rozeti, këmbëngul se ajo e meriton plotësisht shansin. E pyetur nëse ajo ëndërron të drejtojë një ndeshje të Champions-it, Frapar tha: “Unë i kam ngjitur që tani disa hapa. Hapi i radhës për mua do të jetë të integrohem mirë në Ligën e Parë. Nuk do të jetë e lehtë. Ne sfidohemi çdo ndeshje”. Për Fraparin, rasti i saj shpreson që të jetë frymëzues për brezat: “Është një kënaqësi e vërtetë të tregosh që është e mundur dhe të kesh pas vajza të reja që do të ndjekin të njëjtën rrugë. Unë dal në TV, vajzat e reja mendojnë se është e mundur. Përpara shikonim vetëm arbitra meshkuj. Shpresoj të frymëzoj këtë profesion”. Por, a do ta ndiejë ajo presionin në ndeshjen e sotme? “Nuk mendoj se ka shumë ndryshime, sepse futbolli është i njëjtë”.

Gjyqtari turk Xhynejt Çakër do të jetë arbitri i katërt në “Vodafone Park”. Ai jep mbështetjen e plotë për treshen e femrave që do të gjykojnë sot (francezja Manuela Nikolosi dhe irlandezja Mishel O’Nill janë anësoret): “Ato janë të zonjat, kanë guxim dhe nuk hezitojnë të marrin vendime jopopullore. Do ta shohim këtë të mërkurën”.

Loading...

Shpërndaj me

Loading...