Shkencëtarët kanë studiuar prej vitesh si ndikojnë vrimat e zeza tek hapësira rrotull tyre. Forca e tyre e rëndesës tjetërson kohën e hapësirën në një mënyrë që tani vërtetohet, ashtu siç e kishte parashikuar Albert Ajnshtajni. Por vrimat e zeza kanë qenë të padukshme për shkencëtarët, një fakt që tani është kapërcyer nga shkenca:

Shkencëtarët kanë shpenzuar 10 vjet për të lidhur tetë teleskopë të ndryshëm në mbarë botën në një projekt mjaft të vështirë.

Dy vjet më parë, duke përdorur orë atomike tepër të sakta, secili nga teleskopët u kthye drejt galaktikës M-87 që ndodhet 55 milionë vite drite larg.

Pas analizimit të një morie të dhënash dhe pas verifikimit të rezultateve, shkencëtarët e projektit “Event Horizon Telescope” nxorën fotografinë e parë të një vrime të zezë:

“Në prill 2017 të gjitha panelet e teleskopëve u kthyen në drejtim të galaktikës që ndodhet 55 milionë vjet dritë larg. Galaktika M-87 përmban një vrimë gjigande të zezë dhe jemi shumë të gëzuar që sot ju njoftojmë se kemi parë atë që mendohej se ishte e pamundur të shihej. Kemi parë dhe fotografuar një vrimë të zezë. Ja ku e kemi,” tha Sheperd Doeleman, një ndër shkencëtarët e përfshirë në projekt.

Në pamje nuk është shumë impresionuese: një formë sferike ngjyrë të verdhë në portokalli që pluskon në hapësirë. Por shkencëtarët gjithmonë e kanë imagjinuar të tillë formën e vrimës së zezë. Në qendër është zona e errësirës së plotë ku forca e rëndesës është aq e fortë saqë nuk lejon reflektimin e dritës. Rrotull saj ka një shtresë gazi dhe pluhuri në temperaturë tepër të lartë prej miliarda gradë celcius, që lëviz thuajse me shpejtësinë e dritës.

“Mendohet se vrimat e zeza krijohen në fund të jetës së yjeve, kur ylli shpërbëhet brenda vetes dhe krijon një objekt me dendësi të lartë. Në rastin e galaktikës sonë, e dimë se ajo përmban një vrimë të zezë masive në qendër të saj. Është thuajse aq e madhe sa orbita e Mërkurit, me masë disa miliona herë më të madhe se ajo e Diellit tonë. Tani mendojmë se këto vrima të zeza masive gjenden në zemër të çdo galaktike,” thotë drejtori i Muzeut të Shkencës, Roger Highfield.

Vrimat e zeza janë tepër të fuqishme. Shtullungat e gazit përhapen në distanca prej miliona vjet drite nga qendra e vrimës së zezë. Forca e rëndesës është aq e fuqishme saqë tjetërson dritën që çlirojnë edhe diej masivë që ndodhen pranë tyre.

Shkencëtarët thonë se fotografia shërben si udhërrëfyese për studime të tjera më të suksesshme:

“Kjo fotografi shërben si hallka që lidh vrimat e zeza masive me forcën përbërëse të galaktikave. Tani e dimë se vrimat e zeza janë forca brenda strukturave masive të gjithësisë. Tani, për herë të parë, kemi një mënyrë të re për të studiuar relativitetin e përgjithshëm të vrimave të zeza. Ashtu siç ndodh kur ka zbulime të reja, ky është vetëm fillimi,” thotë zoti Doeleman.

Shkencëtarët tani presin të marrin fotografi të tjera si dhe të përdorin teleskopë më të mëdhenj nga observatorë të lëshuar në hapësirë për të kapur imazhe më të qarta të këtyre objekteve misterioze.

Loading...

Shpërndaj me

Loading...