Më shumë se tre muaj pas heqjes së doganës, dyfish është zvogëluar importimi i akumulatorëve, por trefish është rritur vlera e importit të tyre, tregojnë të dhënat statistikore të cilat i siguroi Alsat M. Ndonëse dogana për importimin e akumulatorëve ishte hequr me alibinë se investitori polak është i interesuar të ndërtojë fabrikë për autobusë dhe motoçikleta elektrike, investitori ende nuk duket askund.

Por, vetëm për një muaj që nga heqja e doganës që ishte 15%, shteti ka humbur mbi 26 mijë e 234 euro. Këto para janë fitim për kompanitë që edhe deri më tani importonin akumulatorë, mes të cilave është edhe kompania “Brako” nga Velesi në pronësi të zëvendëskryeministrit për çështje ekonomike, Koço Angjushev. Ai gjatë javës ishte për vizitë në Poloni. Sot konfirmoi se është takuar me investitorët e mundshëm, por ende nuk ka vendim përfundimtarë për investim.

“Kisha bisedime dhe shpresoj se do jenë të suksesshme dhe do të rezultojnë me ndërtimin e fabrikës së re në industrinë e automobilizmit. Por, unë do le që ata të përfundojnë vetë dhe siç është rendi, vetë investitorët të njoftojnë datën e fillimit të investimit – tha Koço Angjushev, zëvendëskryeministër për çështje ekonomike.

Ndërsa sipas të dhënave nga Dogana, nga fillimi i vitit e deri më 20 shkurt në vend janë importuar gjithsej 4010 akumulatorë. Kjo është dyfish më pak krahasuar me 9 mijë e 405 akumulatorët e importuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Por vlera e akumulatorëve të importuar pa doganë thuajse është rritur trefish. Kështu, në janar të këtij viti importi i përgjithshëm i këtyre akumulatorëve ka kushtuar rreth 175 mijë euro, ndërsa në muajin e njëjtë të vitit të kaluar importi ka kushtuar vetëm 62 mijë euro.

 Importi i akumulatorëve në sasi

01.01.2017 – 20.02.2017 9.405

01.01.2018 – 20.02.2018 4.010

 Importi i akumulatorëve në vlerë

Janar 2017 62.657 euro

Janar 2018 174.898 euro

Nga Ministria e Ekonomisë, kur u hoq dogana pohonin se bëhet fjalë për harmonizim me legjislaturën evropiane, ku taksa për import të akumulatorëve të këtillë është 0%. Por, nga Ministria e financave e cila në atë kohë kishte mendim negativ për heqjen e doganës, sot heshtën.

Aleksandra Spasevska

Shpërndaj me