Përderisa opozita maqedonase akuzoi se pushteti po përgatitet të marrë kredi të re deri në 500 milion euro me qëllim të investimeve në këmbim të votës  nga Ministria e Financave sot mohojnë që këtë vit është e planifikuar një huamarrje e tillë. Edhe LSDM-ja thotë se nëse merren borxhe të reja, ato do të jenë për të shlyer huamarrjet e pushtetit të kaluar. Sipas zëdhënësit të socialdemokratëve Kostadin Kostadinov, VMRO DPMNE-ja është ajo që e ka futur në borxh shtetin, ndërsa deri në vitin 2021 qytetarët duhet t’i kthejnë.

 Paratë që i shpenzonte VMRO DPMNE-ja, 350 mijë euro për gjëra të imta, 500 mijë euro për ndërtimin e parmakëve të urave, afër 1 miliard euro për përmendoret. Atë para nuk janë nga xhepi i Nikolla Gruevskit, ato janë para të qytetarëve, ato detyrime ne duhet t’i shlyejmë. Tani mund të bëni një dallim thelbësor ndërmjet atyre që kanë marrë borxhe me kamat 10% dhe tani që ato paguhen me hua të reja me kamata 2,7%.”-pohoi Kostadin Kostadinov, Zëdhënës i LSDM-së.

Për analistët më me rëndësi është që huamarrjet e ardhshme të kenë qëllim investimet  e reja se sa shlyerjen e borxheve të vjetra.

Maqedonia e Veriut në ciklin e fundit të 15 viteve ka rritur huamarrjen në rreth 50% të Bruto Prodhimit Vendor. Kështu që për 500 milionët që flasim tani, është shumë me rëndësi të dihet se a rritet edhe më tej borxhi publik apo marrim hua për t’i shlyer borxhet e vjetra. Borxhi i përgjithshëm nuk rritet, por edhe nëse rritet duhet të dimë për çfarë do të shfrytëzohen ato para. A do të jenë shpenzime produktive si projektet infrastrukturore dhe zhvillimore apo para vetëm për grim, siç mund të jenë ‘Shkupi 2014’ subvencionet populiste dhe kështu me radhë”-theksoi Petar Arsovski, analist.

 Një ditë më parë kreu i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski tha se pushteti i Zaevit ka bërë gabim në përllogaritjen e deficitit dhe huamarrjeve të planifikuara, duke i shlyer ato me borxhe shtesë, të cilat në 6 muajt e parë të vitit, sipas tij, arritën 16 miliardë denarë. Njëjtë si Mickoski, pushteti i tanishëm kur ishte në opozitë në fushatë parazgjedhore kritikonte VMRO DPMNE-në për huamarrje të vazhdueshme shumë milionëshe me kamata të larta, duke i futur në borxh taksapaguesit.  Në raportet e fundit për situatën ekonomike të vendit, Komisioni Evropian dhe Banka Botërore kanë theksuar se Qeverisë i nevojitet një konsolidim fiskal më ambicioz, duke vënë theksin tek kontrolli i shpenzimit të parave publike dhe realizimit të investimeve kapitale.

Adnan Qaili

Loading...

Shpërndaj me

Loading...