Komisari për zgjerim i BE-së, Johanes Hahn, ka thënë se është shumë e rëndësishme që të arrihet një  marrëveshje cilësore për çështjen e emrit. Në një intervistë për median greke “Ta Nea”, Hahn ka thënë se duke parë përpjekjet që kanë bërë të dyja palët me ndërmjetësimin e Metju Nimicit, është i bindur se do të ketë një marrëveshje.
“Nëse do të arrihet në Sofje do të ishte edhe më mirë. Por, me rëndësi është vendosmëria e liderëve që të arrijnë kompromis i pranuar për dy vendet. Zgjidhja nuk është mirë vetëm për IRJM-në, por edhe për tërë rajonin”, ka thënë Hahn.
Komisari Hahn ka thënë po ashtu se Maqedonia me përkrahje aktive të BE-së, ka tejkaluar krizën e thellë politike dhe ka zbatuar reforma të rëndësishme të lidhura me marrëveshjen e Përzhinos. Po ashtu ai ka thënë se shteti është afruar me fqinjët, si nëpërmjet marrëveshjes me Bullgarinë por edhe nëpërmjet përpjekjeve të arrihet kompromis me Greqinë.

Shpërndaj me