Derisa ekonomia vendore thuajse stagnon, disa kompani vendore realizojnë të ardhura dhe profite. Të dhënat nga Bursa e Maqedonisë tregojnë se nga fillimi i vitit, qarkullimi në bursë është rritur për tre herë e gjysmë ndërsa indeksi MBI-i 10 kompanive me renditje më të mirë, për 24%. Nga 101 kompanitë që renditen në Bursën e Maqedonisë, 67 kanë realizuar fitim ndërsa 34 kanë punuar me humbje. Profit më të lartë kanë realizuar bankat ndërsa humbja më e madhe është vërejtur në industri. Rënie në ndërtimtari të cilën e regjistroi edhe statistika, kanë pësuar edhe kompanitë ndërtimore të cilat në pesë muajt e parë kanë punuar me humbje. Ndërsa në industri, 21 kompani që renditen në bursë, kanë punuar me humbje ndërsa 20 kanë realizuar rezultate pozitive. Me sukses kanë punuar kompanitë e sigurimeve si dhe ato bujqësore. Me të ardhura të larta mund të lëvdohen kompanitë tregtare dhe farmaceutike. Por, të dhënat e këtilla, sipas ekspertëve, nuk përputhen me lëvizjet në ekonomi. Ish ministri i financave, Nikolla Popovski, në një intervistë për emisionin “360 gradë” është shprehur se është e paqartë se si për një vit Bursa ka rritje fantastike ndërsa ekonomia stagnon.

Bursa nuk mund të rritet 38%, kjo është vlera e kompanive në treg të themi, ndërsa ato nuk lëvrojnë vlerë të shtuar plotësuese. Atëherë, si rritet vlera e tyre? – tha Nikolla Popovski, ish ministër i financave.

Popovski është optimist se zgjidhja e dallimeve rreth emrit do të zhbllokoj depërtimin drejt BE-së dhe NATO-s dhe do ta shndërrojë Bursën e Maqedonisë në investim të dëshiruar. Në pesë muajt e parë të vitit, në Bursë kanë qarkulluar 95 milionë euro. Dominojnë investitorët vendorë ndërsa ata të huajt marrin pjesë me vetëm 0,6%.

Aleksandra Spasevska

Shpërndaj me