Në Shqipëri, Bashkia e Tiranës njoftoi sot se nuk arriti dot marrëveshjen me një kompani private për ndërtimin sipas formulës së Partneritetit Publik Privat, Teatrin e ri kombëtar në vend të godinës aktuale në qendër të kryeqytetit.

“Komisioni i negocimit, në mbështetje të të gjitha kërkesave të komunitetit të artistëve për një teatër modern, i cili përmbush kriteret e nevojshme për realizimin profesional e me cilësi të shfaqjeve teatrale, nuk arriti të gjejë dakordësinë me palën private. Modeli financiar i propozuar nga pala private e interesuar për ndërtimin e godinës së Teatrit të ri Kombëtar dhe zhvillimit të zonës urbane, por edhe kompleksiteti i projektit, i cili duhet të përmbushte të gjitha kërkesat teknike të kërkuara nga përfaqësia e artistëve në komision, nuk mundësonte ndërtimin e godinës në një kohë të shpejtë dhe me infrastrukturë moderne për një teatër bashkëkohor”, bëri të ditur Bashkia në një deklaratë.

Ndërtimi i një Teatri të ri sipas një projekti të arkitektit të njohur danez Bjarke Ingel, u kundërshtua nga një pjesë e komunitetit të artistëve, ndërkohë që mënyra e zgjedhur nga Qeveria ngriti shumë dyshime. Parlamenti miratoi në 2018 një ligj të posaçëm i cili i njihte të drejtën një kompanie private që të ndërtonte me fondet e saj një godinën e re. Në këmbim, kompanisë, i lejohej ndërtimi i disa pallateteve shumëkatëshe në zonën rreth e qark në zemër të Tiranës.

Në ligjin e hartuar nga Parlamenti, në ndryshim nga një variant i mëparshëm që specifikonte me emër kompaninën shqiptare të ndërtimit “FUSHA”, u la hapësira për garë. Por në të vërtetë, ishte sërish vetëm “FUSHA” që u paraqit në garën e cila u mbyll në gjysmën e dytë të shtatorit 2019.

Loading...

Shpërndaj me

Loading...