Zaev dhe Mickoski janë të zhgënjyer nga qëndrimi i njëri-tjetrit në takimin e një dite më parë, i cili zgjati deri në orët e hershme të mëngjesit. Qëndrimet e tyre konfuze nuk përputhen mbi atë se ku qëndrojnë dallimet kryesore që sollën dështimin e arritjes së një marrëveshje. Së fundmi, pushteti ka propozuar formimin e një prokurorie të re, në kuadër të Prokurorisë Themelore por që do të funksionojë paralelisht dhe e pavarur nga Prokuroria aktuale për krim të organizuar dhe korrupsion me të cilën drejton Villma Ruskovska. Prokuroria sipas tyre do të quhej Prokuroria për hetimin e korrupsionit të lartë dhe do të merrej me hetimin e veprave korruptive të funksionarëve.

Prokurorinë e re e propozuam të jetë në nivel të njëjtë me Prokurorinë për hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. U siguruam që lëndët të kalojnë të gjitha te Joveski, ata në procedurë gjyqësore, hetimore, etj dhe ai të vendosë se si do t’i ndajë dhe çfarë do të punohet me to dhe si do të vazhdojnë. Qëllimi ishte që ata që janë në procedurë gjyqësore të vazhdojnë aty ku kanë mbetur me vendim të prokurorit. Ata që janë në parahetim dhe në hetim, të vlerësojë ai a ka mjaftueshëm dëshmi për t’i mbyllur ose për të vazhduar hetimin.”- tha Zoran Zaev, kryeministër.

Propozimi i Zoran Zaevit ishte që të formojmë prokurori publike e cila do të jetë kompetente, përmes atyre 10 ndihmësve të Katica Janevës, për lëndët e Prokurorisë Speciale. Ne themi në regull e pranojmë këtë. Prokurori, e cila do të hetojë lëndë korruptive nga persona të zgjedhur dhe të emëruar. Ne kur themi mirë, tani të shohim rastet “Mitmarrja”, “Global”, “Reket”, etj. Ata nuk pajtohen. Për këto raste kjo nuk vlen por kërkojnë të zbatohet nga tani e tutje. Drejtësia nuk njeh kufizime nga “tani e tutje”.”- potencoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Zaev thotë se opozita kërkon që lëndët e Speciales të vendosen në kontrollin e tyre, në një prokurori të drejtuar prej një prokurori të zgjedhur nga opozita, që më pas të zhduken. Mickoski thotë se nuk ka bërë kurrë një kërkesë të tillë. Sipas tij, nuk duhet ligj i ri për të rregulluar lëndët e PSP-së të cilat gjithsesi kalojnë në duart e Joveskit.

Tërësisht jashtë principit të drejtësisë kërkuan që të gjitha lëndët deri më 30 qershor të vitit 2017 t’I marrë prokuror i zgjedhur nga ana e tyre, kuptohet, pas kësaj të bëhet shkatërrimi dhe ndalimi i të lëndëve. Kërkuan që me ligj të vuloset e ardhmja dhe të ndalohen hetimet dhe parahetimet pas 30 qershorit, gjegjësisht, të mos precizohet në ligj se çfarë janë lëndët në fazë parahetimore ose hetimore.”- theksoi Zoran Zaev, kryeministër.

Neve nuk na duhet ligj që lëndët të vazhdojnë. Edhe sipas ligjit aktual, pasi Joveski t’i marrë lëndët mund t’i shpërndajë te prokurorët dhe ata të vazhdojnë. Ne këtu as mundemi dhe as kemi të drejtë të kërkojmë që ata të ndërpriten sepse atëherë do të flisnim kundër ligjit. Nuk e kërkojmë këtë. Ne kërkojmë drejtësi të njëjtë për të gjithë. I gjithë krimi për të cilin kemi indicie që është duke e bërë kjo qeveri të trajtohet njëjtë.”- u shpreh Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Pushteti ka propozuar që ekipi i Katica Janevës të bartet në Prokurorinë e re për korrupsion të lartë por opozita thotë se ekipin e prokurorit të ri duhet ta zgjedhë këshilli i prokurorëve dhe jo liderët politik. Sipas opozitës, ekipi i Janevës duhet të shpërndahet në vendet e mëhershme të punës dhe të kenë të drejtë aplikimi për t’u bërë pjesë e prokurorisë së re, aq sa të gjithë prokurorët tjerë në vend. Ata nuk janë kundër që prokurorët e Janevës të vazhdojnë të përfaqësojnë lëndët e PSP-së në rast se këtë e vendos Joveski pasi lëndët të kalojnë në Prokurorinë e rregullt.

Fatlume Dervishi

Loading...

Shpërndaj me

Loading...