Moti i rëndë ka shkatërruar të mbjellat në rajonin e Strumicës ndërsa Ministria e Bujqësisë pritet të dalë me analizë se çfarë mbrojtje ndaj breshrit do të vendoset. Bujqit vite me radhë kërkojnë që të kthehen predhat kundër breshrit, që të zbuten dëmet nga të reshurat. Ministri i Bujqësisë, Lupço Nikollovski shprehet se do të detektohen pikat ku ka më shumë nevojë për këtë sistem mbrojtës. Ministria gjithashtu do të kërkojë mjete që të instalohet sistem i ri, por nuk dihet saktë kur do të ndodhë kjo.

Ministria së bashku me Sekretariatin e përgjithshëm të Qeverisë është duke e përgatitur procedurën e tenderit dhe atë juridike, me qëllim që në këtë periudhë përmes procedurës të dalë me model kyç dhe shpresoj që për vitin e ardhshëm do të jemi në një fazë më të avancuar – deklaroi Lupço Nikollovski- ministër i Bujqësisë.

Ministri Nikollovski pohon se moti i rëndë që përfshiu rajonin e Strumicës këtë fundjavë ka shkaktuar dëme, por jo me pasoja alarmuese. Një pjesë e madhe e prodhimtarisë bujqësore ka qenë nën letër alumini. Ndërsa dëmet do t’i konstatojnë komisionet.

Pa i poseduar këto të dhëna nuk mund të flasim as për përfshirjen e as për sipërfaqet. Mendoj se deri më tani kishim vit të mirë për bujqit, mendoj se do të kemi prodhimtari të mirë dhe nuk do të reflektohet aq shumë në eksport – shtpi ministër i Bujqësisë.

Ministri njoftoi se po ndërmerren masa afatgjate për mbrojtjen nga ndryshimet klimatike. Janë vendosur stacione meteorologjike në Koçan, Gradsko dhe Strumicë, është riparuar sistemi i radarit në Gjurishtë ndërsa janë duke punuar në aplikacion mobil për t’i informuar bujqit për fatkeqësitë e motit. Ndryshe, sistemi ekzistues ndaj breshrit nuk funksionon me vite. Radarët në Gjurishtë dhe Topollçan që e mbulojnë Maqedoninë janë në funksion vetëm për ndjekjen në kohë të gjendjeve dhe informimin e bujqve, por jo edhe për parandalim.

Aleksdandra Spasevska 

Shpërndaj me